Kujt i pengon zhvillimi dhe integrimi i Shqipërisë?

Shkruan: Afrim Tanallari

Investimet e fundit në sferën e turizmit elitar në Shqipëri duket se kanë nxjerrë më në fund “shpirtin e dreqit nga shishja”. Kur flitet për një investim prej 4 miliardë dollarësh, që sipas parashikimeve mund të ndikojë ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit, pyetja lind vetvetiu: kujt po i pengon kjo? Shqiptarëve të zakonshëm vështirë se po.

Skenari të kujton disi ngjarje që kemi parë më herët në rajon. Fillimisht paraqiten protesta me pretendimin se janë spontane, pastaj, me një shpejtësi të admirueshme, shfaqen kërkesa politike, flamuj ideologjikë dhe personazhe që deri dje nuk kishin asnjë lidhje me kauzën e shpallur. Spontaniteti, si zakonisht, rezulton të jetë i organizuar me përpikëri.

Organizatorët përpiqen të paraqiten si pa kokë dhe pa qendër komanduese, por publiku nuk është më aq naiv sa dikur. Kur në të njëjtën fotografi mblidhen aktivistë, politikanë të dështuar, profesionistë të protestës dhe aventurierë të përhershëm, bëhet e vështirë të shitet ideja e revoltës së pastër qytetare.

Në këtë situatë, Kryeministri Edi Rama nuk duhet të tërhiqet nga realizimi i investimit. Nëse Shqipëria kërkon zhvillim, vende pune, turizëm me vlerë të shtuar dhe integrim më të shpejtë ekonomik, atëherë projektet strategjike nuk mund të bëhen peng i zhurmës së përditshme politike.

Duket se disa e duan Shqipërinë turistike, por pa turistë; e duan zhvillimin, por pa investime; e duan integrimin europian, por pa ndryshime. Një lloj filozofie që do të meritonte studim më vete.

Rama është mjaftueshëm i gjatë për të parë përtej mjegullës së ditës dhe për të dalluar jo vetëm kritikët e sinqertë, por edhe ata që, nën petkun e shqetësimit qytetar, nuk humbin rastin për të baltosur çdo projekt që mund ta çojë Shqipërinë përpara.

Në fund të fundit, historia do të njohë jo ata që protestuan kundër çdo gjëje, por ata që patën guximin të ndërtojnë diçka.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo