INXHINIERINGU I MESAZHIT POST-REFERENDUM

Bashkim Aliu
Ditën e diel, më 14.06.2026, qytetarët e Zvicrës, me shumicë, i thanë jo iniciativës së Partisë
Popullore të Zvicrës (SVP) për kufizimin e popullsisë në 10 milionë banorë, e cila nga palët
kundërshtuese u cilësua si “iniciativë kaotike”. Zvicra është vend i demokracisë së drejtpërdrejtë
dhe referendumet e niveleve të ndryshme këtu janë dukuri normale, përmes të cilave qytetarët
me të drejtë vote e shprehin në mënyrë të drejtpërdrejtë, e jo përmes përfaqësuesve, vullnetin e
tyre për çështje dhe iniciativa të ndryshme, të cilat ngrihen si në nivel nacional, ashtu edhe në
nivel kantonal dhe komunal.
Kësaj radhe, shumica e qytetarëve me të drejtë vote i thanë jo iniciativës, e cila, përmes kufizimit
të popullsisë në 10 milionë banorë, synonte të vendoste kontroll mbi migracionin dhe do të kishte
implikime edhe në fusha të tjera, ku pa dyshim do të prekej në masë të madhe edhe bashkimi
familjar, ardhja në Zvicër nga vendet e BE-së, marrja e vizave të punës, procedurat për marrjen e
vizave për punë apo për bashkim familjar, etj. Shto këtu edhe implikimet në fushën e
ndërtimtarisë, shërbimeve dhe ekonomisë në përgjithësi. Nisur nga këto dhe shumë aspekte të
tjera, iniciativa dështoi, dhe pjesëmarrja relativisht e lartë në referendum tregon seriozitetin e
çështjes së ngritur dhe përgjegjësinë e qytetarëve për të dhënë mendimin e tyre për çështje të tilla
serioze.
Si kudo në botë, edhe në Zvicër, pas rezultateve të referendumit apo zgjedhjeve, komentatorët
dhe mediat i ndezin motorët për të komentuar dhe analizuar rezultatet. Kjo është krejt normale
dhe është puna e mediave, analistëve dhe komentatorëve. Mirëpo, ajo që bie në sy, siç nënvizon
edhe Jacqueline Fehr (Xhaklin Fer) nga Partia Socialdemokrate, anëtare e Këshillit Qeveritar të
Kantonit të Cyrihut dhe drejtoreshë e Drejtorisë së Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme në
këtë kanton, është narrativa thjeshtëzuese e disa komentatorëve mbi rezultatet e referendumit.
Ajo thekson se është irritues mesazhi që pothuajse të gjithë komentatorët mediatikë po ua
dërgojnë autoriteteve: se ato më në fund duhet t’i marrin seriozisht “dhimbjet e rritjes së
popullsisë” dhe se duhet t’u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve. Ajo pyet në mënyrë ironike:
“Seriozisht?”. Sipas saj, pas disa dekadash përvoje politike, është bërë rezistente ndaj këtyre

qëndrimeve, por ajo që e habit ende është nëse redaksitë vërtet mendojnë se autoritetet ende nuk
e kanë kuptuar që rritja e popullsisë është një sfidë e madhe.
Madje, ajo shprehet se kush pretendon në mënyrë kaq të përgjithësuar se autoritetet nuk i marrin
seriozisht shqetësimet e popullatës, e thjeshton tej mase çështjen. Në këtë drejtim, ajo
argumenton me rezultate nga një studim i përgatitur nga instituti kërkimor Sotomo, sipas të cilit
rezultatet e referendumit dolën të tilla, sepse zhvillimi i cilësisë së jetës në komunat me rritje mbi
mesataren ka ndikuar që rritja e popullsisë të perceptohet si diçka pozitive. Krejt ndryshe
paraqitet situata në komunat që po tkurren, ku vlerësimet për këto zhvillime janë dukshëm më
negative.
Përtej të drejtës së mediave për të komentuar, pasi, siç shprehet edhe Jacqueline Fehr, mediat
mund dhe duhet – madje janë të detyruara – të ndjekin, komentojnë dhe kritikojnë veprimet ose
mosveprimet e autoriteteve, çështja nuk duhet thjeshtuar tej mase. Ky ritëm vërehet gjithandej në
botë, ndonëse me dallime thelbësore në motive, sa herë që mbahen zgjedhje apo referendume.
Rezultatet u nënshtrohen analizave, komenteve dhe vlerësimeve, gjë që është krejt normale.
Por ajo që nuk është normale është tentimi për inxhiniering postzgjedhor apo post-referendum të
mesazhit të rezultateve, ku eksponentë të palëve opozitare luftojnë me të gjitha forcat për të
krijuar narrativë dhe për ta bindur opinionin se rezultati duhet të lexohet ndryshe, e jo ashtu siç
është. Një rast i freskët janë zgjedhjet parlamentare në Kosovë në muajin qershor, por edhe ato
paraprake në muajin dhjetor. Komentatorët në studio të ndryshme televizive të lënë gojëhapur
me manovrimet në paraqitjen e rezultateve të zgjedhjeve si humbje e fituesit; mbase zhgënjimi
është i qartë te opozita.
Në rastin e Kosovës, në lojë u fut edhe mërgata, duke u përdorur si alibi për të mbuluar humbjen
e humbësve dhe për të minimizuar fitoren e palës fituese. Megjithatë, rezultatet janë të qarta dhe
humbja duhet të lexohet si humbje, ndërsa fitorja si fitore. Për dallim prej rastit të Zvicrës, ku
tentimi i inxhinieringut mediatik të mesazhit të rezultatit është kryesisht ideologjik, në rastin e
Kosovës ka gjasë që ai të jetë në masë të madhe edhe lukrativ, pasi është e vështirë të gjendet një
shpjegim tjetër për ata që stërmundohen duke bërë zhurmë për ta bindur publikun se fituesi, në
fakt, është humbës.
Mesazhi i referendumit për iniciativën e kufizimit të popullsisë së Zvicrës në 10 milionë banorë
ishte i qartë: shumica e popullsisë nuk e sheh mosrritjen e popullsisë përmes mbylljes dhe
kufizimit si mbrojtje dhe garanci për zhvillim. Përkundrazi, zhvillimi shihet përmes menaxhimit

të mençur të resurseve dhe përmirësimit të cilësisë së jetës – fusha në të cilat qeveria zvicerane,
si në nivel nacional ashtu edhe në atë kantonal, është treguar e vëmendshme dhe largpamëse.
Megjithatë, kjo nuk arriti ta shmangë fushatën e disa zërave mediatikë për inxhiniering të
mesazhit të rezultatit në emër të një “thirrjeje zgjimi” për autoritetet – një qasje që, në këtë rast,
duket të jetë e motivuar kryesisht nga qëllime ideologjike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo