Galdini: AlgoRama! Kur pushteti-regji e quan zhurmë qytetarin që kërkon dokument…

Nga Arian Galdini

Edi Rama nuk e zbuloi algoritmin.

E përdori.

Nuk e zbuloi për të kuptuar epokën.

E nxori si alibi për t’i ikur përgjegjësisë.

Nuk foli për algoritmin sepse i dhemb e vërteta publike.

Foli për algoritmin sepse nuk do të flasë për dokumentin, për hartën, për kontratën, për përfituesin, për gardhin, për bregdetin, për humbjen e besimit dhe për shtetin që kërkon të besohet përpara se të lexohet.

Për vite të tëra, Edi Rama ndërtoi një pushtet mbi imazhin, mbi skenën, mbi regjinë, mbi fasadën, mbi batutën, mbi përqeshjen e kundërshtarit, mbi maketin, mbi ceremoninë, mbi televizionin, mbi transformimin pamor të realitetit dhe mbi atë lloj politike ku qytetari nuk ftohej të lexonte, por të shikonte.

Tani, kur shikimi publik nuk prodhon më admirim, por zemërim, ai e quan rrezik.

Tani, kur kamera nuk ndriçon më vetëm pushtetin, por edhe plagën që pushteti ka lënë pas, ai flet për algoritmin.

Tani, kur sheshi bëhet pamje kundër tij, ai ankohet se sheshi është studio.

Por Shqipëria nuk duhet ta harrojë këtë, politika shqiptare nuk u kthye sot në studio xhirimi.

Edi Rama e mësoi vetë Shqipërinë të qeverisej me regji.

Ai nuk është viktima e algoritmit.

Ai është AlgoRama.

AlgoRama nuk është vetëm një kryeministër.

Është emri shqiptar i një sëmundjeje moderne të pushtetit, çasti kur pushteti që ka jetuar nga spektakli e shpall spektaklin armik vetëm kur spektakli nuk i shërben më.

Është pushteti që e kthen çdo pyetje në imazh, çdo dokument në dekor, çdo kundërshtar në karikaturë, çdo zhvillim në spektakël, çdo llogari në bezdi dhe çdo plagë publike në problem komunikimi.

Është qeverisja që të thotë “më beso”, kur qytetari kërkon “ma trego”.

Në Shqipëri kjo ka emrin Rama.

Por emri është më i vogël se sëmundja.

Sëmundja quhet pushtet-regji, një pushtet që nuk kërkon qytetarë, por audiencë, nuk kërkon besim, por efekt, nuk kërkon lexim, por pamje, nuk kërkon kontroll, por duartrokitje.

Pushteti-regji nuk sundon vetëm duke fshehur faktin.

Sundon duke prodhuar rolin e qytetarit.

Spektator kur duartroket.

Zhurmë kur pyet.

Masë kur voton.

Rrezik kur zgjohet.

Ky është krimi më i hollë i pushtetit-regji, nuk e mohon gjithmonë qytetarin, e pranon vetëm në rolin që i shërben.

E do si shikues, si votë, si trup elektoral, si dekor popullor, si audiencë të bindur.

Por kur qytetari kërkon dokument, pushteti nuk sheh më qytetar.

Sheh zhurmë.

Këtu nuk fillon debat komunikimi.

Këtu fillon gjyqi politik.

Algoritmi nuk e vuri gardhin.

Algoritmi nuk e errësoi dokumentin.

Algoritmi nuk e shpiku mosbesimin.

Algoritmi nuk e nënshkroi kontratën.

Algoritmi nuk e fshehu përfituesin.

Algoritmi nuk e ndryshoi ligjin.

Algoritmi nuk e trajtoi bregdetin si dekor të një marrëveshjeje që publiku nuk e lexon dot.

Algoritmi nuk e bëri qytetarin të dyshojë te fjala “zhvillim”.

Këtë e bëri pushteti.

Algoritmi është vetëm fjala e re me të cilën Rama kërkon të mbulojë fajin e vjetër.

Për sa kohë publiku nuk ka përpara vendimin, hartën, kufirin ligjor, kontratën, përfituesin fundor dhe përgjegjësinë politike, çdo leksion për algoritmin është tym mbi dokumentin e fshehur.

Kur një qeveri nuk jep dritë, nuk ka të drejtë të ankohet pse qytetari ndez telefonin.

Kur një shtet nuk jep dokument, nuk ka të drejtë të ankohet pse qytetari kërkon kamerën.

Kur një pushtet e mëson vendin të besojë maketin përpara kontratës, nuk ka të drejtë të tronditet kur njerëzit fillojnë të dyshojnë çdo maket.

Rama thotë se qeveria nuk ia dorëzon timonin zhurmës.

Por pyetja e Republikës nuk është nëse timoni duhet t’i dorëzohet zhurmës.

Pyetja është, kush ia dha timonin një njeriu që nuk tregon hartën?

Nëse timoni mbahet në emër të shtetit, harta duhet të jetë publike.

Nëse pasuria është e Shqipërisë, përfituesi duhet të jetë i qartë.

Nëse zhvillimi është për qytetarin, dokumenti nuk mund të jetë i errët.

Nëse investimi është i pastër, nuk ka pse të trembet nga pyetja.

Shteti nuk është anije private.

Kryeministri nuk është pronar i direkut.

Republika nuk është ekuipazh që duhet të lidhet pas një kapiteni vetëm sepse kapiteni ka frikë nga sirenat.

Republika është vendi ku pushteti lexohet.

Republika është vendi ku zhvillimi provohet.

Republika është vendi ku qytetari nuk fal firmë bosh.

Republika është vendi ku timoni nuk mbahet pa hartë.

Në një Republikë, qytetari nuk kërkon leje për të mos besuar.

Kur dokumenti mungon, mosbesimi nuk është helm.

Është imuniteti i fundit i Republikës.

Pushteti që kërkon ta shuajë mosbesimin pa hapur dokumentin nuk kërkon besim.

Kërkon nënshtrim.

Pushteti që kërkon besim pa dokument nuk është pushtet demokratik.

Është regji që kërkon bindje.

Prandaj fjala “algoritëm” nuk është diagnozë.

Është devijim.

Është streha moderne e pushtetit që nuk do të thotë më, faj, kontratë, vendim, përfitues, përgjegjësi.

Ajo i duhet Ramës për ta zhvendosur pyetjen.

Ai nuk do që të pyesim pse ka plagë.

Do që të flasim për mënyrën si ajo qarkullon.

Nuk do të flasim për pronën.

Do të flasim për rrjetin.

Nuk do të flasim për kontratën.

Do të flasim për klikimin.

Nuk do të flasim për errësirën.

Do të flasim për ekranin.

Kjo është gjuha e AlgoRamës, kur pyetja bëhet e rrezikshme, akuzo mënyrën si pyetja po përhapet.

Kur pushteti nuk mund ta mohojë plagën, ai ndryshon emrin e saj.

Kjo është dhuna më e hollë e propagandës, jo të vrasë pyetjen, por ta riemërtojë derisa të mos duket më si pyetje.

Por qytetari nuk e humb të drejtën e pyetjes vetëm sepse pyetja e tij bëhet virale.

Një plagë nuk bëhet e pavlefshme pse filmohet.

Një dyshim nuk bëhet armiqësor pse nuk i pëlqen pushtetit.

Një protestë nuk bëhet e rreme vetëm pse disa kërkojnë ta përdorin.

Dhe një qeveri nuk bëhet e drejtë vetëm pse di ta përshkruajë rrëmujën e kundërshtarëve të saj më mirë se ata vetë.

Këtu duhet të jemi të ndershëm deri në fund.

Protesta nuk është e pafajshme vetëm pse është protestë.

Sheshi nuk jep automatikisht mandat.

Plaga nuk jep prokurë.

Askush nuk bëhet përfaqësues i popullit vetëm sepse mban mikrofon, flamur, ekran, foltore, avokatë, karvan, teori, parti, datë historike apo formulë kalimtare.

Por pikërisht sepse plaga nuk jep prokurë, as pushteti nuk ka të drejtë ta quajë plagën zhurmë.

Unë nuk ia dorëzoj qytetarin as pushtetit, as turmës, as regjisë së Ramës, as regjisë së atyre që duan ta trashëgojnë plagën.

Qytetari nuk është material për regjinë e Ramës.

Nuk është as karburant për regjinë e dikujt tjetër.

Ai është njeri i lirë, pronar moral i Republikës, bartës i dinjitetit të vetë, i arsyes së vetë, i lirisë së vetë, i së drejtës së vetë për të mos u përdorur.

Beteja nuk është për t’ia marrë regjinë Ramës dhe për t’ia dhënë dikujt tjetër.

Beteja është për ta mbaruar politikën si regji.

Republika nuk mbrohet duke ia dorëzuar vendin turmës.

Por nuk mbrohet as duke ia dorëzuar vendin një kryeministri që e quan veten timon sa herë kërkohet llogari.

Kjo është beteja e vërtetë.

Jo algoritmi kundër qeverisë.

Jo qeveria kundër algoritmit.

Por Republika kundër dy grabitjeve të njëkohshme, grabitjes së pushtetit që fsheh dokumentin, dhe grabitjes së sheshit që kërkon të flasë pa mandat.

Rama kërkon ta paraqesë veten si rend.

Por rendi nuk është heshtje para kryeministrit.

Rendi është kufiri ku pushteti ndalet, dokumenti hapet dhe qytetari nuk përbuzet.

Pushteti që e quan këtë zhurmë nuk është rend.

Është frikë me protokoll.

Algoritmi shpërblen pamjen, shpejtësinë, emocionin, goditjen e shkurtër, konfliktin, poshtërimin e kundërshtarit dhe zëvendësimin e mendimit me refleks.

Por kjo nuk hyri sot në Shqipëri nga rrjeti.

Kjo ishte gjuha politike që Rama i mësoi vendit për vite.

Ai e ndërtoi pushtetin mbi pamjen.

E ngriti komunikimin mbi batutën.

E shndërroi kundërshtarin në karikaturë.

E ktheu vendimmarrjen në spektakël.

E bëri fasadën provë reforme.

E quajti pyetjen pengesë.

E ngatërroi zhvillimin me imazhin e zhvillimit.

Prandaj Rama nuk ka asnjë të drejtë morale të ankohet për algoritmin.

Nuk ka asnjë të drejtë të sillet si njeri që po mbron demokracinë nga teknologjia.

Nuk ka asnjë të drejtë të paraqitet si kapiten racional përballë turmës irracionale.

Ai që e bëri politikën regji, nuk mund të kërkojë sot një Republikë pa kamera.

Ai që qeverisi me imazh, nuk mund të qajë kur imazhi bëhet gjyq.

Ai që e përdori spektaklin si pushtet, nuk mund të habitet kur spektakli kthehet në protestë.

Pushteti-regji nuk rrëzohet kur humb kamerën.

Rrëzohet kur kamera zbulon se pas skenës nuk ka Republikë, por dekor.

Problemi i Shqipërisë nuk është se qytetarët panë shumë.

Problemi është se për shumë kohë nuk panë dot mjaftueshëm.

Nuk panë kontratat.

Nuk panë përfituesit.

Nuk panë zinxhirin e vendimit.

Nuk panë kufirin mes publikes dhe privates.

Nuk panë pse disa projekte vinin gjithmonë me fjalë të mëdha dhe me dokumente të vogla.

Tani që duan të shohin, u thuhet se janë zhurmë.

Jo.

Qytetari nuk është zhurmë.

Qytetari është arsyeja pse ka shtet.

Qytetari bëhet zhurmë vetëm në sytë e pushtetit që nuk e pranon më si njeri të arsyes, por vetëm si trup për t’u menaxhuar, imazh për t’u përdorur, votë për t’u numëruar dhe spektator për t’u bindur.

Zhurmë mund të bëhen media, turma, opozita, partitë e vjetra, partitë e reja dhe foltoret.

Por qytetari që kërkon dokument nuk është zhurmë.

Është pronari i vetëm moral i Republikës.

Nëse qytetari sot nuk e beson më fjalën “zhvillim”, faji nuk është i algoritmit.

Faji është i atyre që e përdorën këtë fjalë për vendime që nuk kaluan dot provën e dritës.

Zhvillimi i pastër nuk ka frikë nga transparenca.

Investimi i pastër nuk ka frikë nga regjistri.

Kapitali i ndershëm nuk ka frikë nga emri i përfituesit.

Frikë ka vetëm errësira.

Dhe errësira, kur vishet me fjalën “zhvillim”, bëhet më e rrezikshme se kur vjen me maskë.

Prandaj nuk mjafton që Rama të flasë për algoritmin.

Duhet të heshtë si propagandist dhe të përgjigjet si kryeministër.

Kush nuk tregon hartën, nuk mban dot timonin.

Timoni nuk mbahet me metaforë kur harta mungon.

Kur harta fshihet, timoni nuk është përgjegjësi.

Është uzurpim.

Kur dokumenti mungon, fjalimi nuk është lidership.

Është perde.

Kur zhvillimi nuk provohet me dritë, por mbrohet me metaforë, nuk është vizion.

Është dyshim i organizuar nga pushteti.

Dhe kur një kryeministër, pas kaq vitesh pushtet të përqendruar, përballë një plage publike, nuk jep dokument, por jep leksion për algoritmin, ai nuk po mbron shtetin.

Po mbron veten.

Kjo nuk është mirësjellje institucionale.

Nuk është lutje për transparencë.

Nuk është ftesë për debat.

Është akt politik.

Rama duhet të largohet jo sepse sheshi bërtet, por sepse pushteti i tij ka humbur të drejtën morale të fshihet pas fjalëve të mëdha.

Duhet të largohet sepse njeriu që e ktheu politikën në regji nuk mund të dalë sot si gjykatës i kamerës.

Duhet të largohet sepse ai që e trajtoi qytetarin si spektator nuk mund ta quajë qytetarin zhurmë kur spektatori ngrihet në këmbë.

Duhet të largohet sepse Republika nuk mund të mbetet peng i një kapiteni që flet për Itakën, por nuk tregon hartën.

Duhet të largohet sepse shteti nuk është skenë personale, bregdeti nuk është dekor pushteti, zhvillimi nuk është kostum për errësirën dhe qytetari nuk është figurant në filmin e radhës të propagandës.

Ky nuk është zemërim.

Është rend.

Nuk është hakmarrje.

Është higjienë shtetërore.

Nuk është britmë kampi.

Është kufi republikan.

Është kufi demokratik.

Është kufi perëndimor.

Perëndimi nuk është fasadë moderne mbi vendime të errëta.

Perëndimi fillon aty ku pushteti nuk kërkon adhurim, por kontroll, ku qytetari nuk trajtohet si turmë, por si arsye publike, ku kontrata nuk ruhet si sekret pushteti, por hapet si provë e shtetit.

Dorëheqja këtu nuk është favor personal.

Është emri politik i një kufiri, njeriu që e quan llogarinë zhurmë nuk mund të mbajë më timonin e Republikës.

Një vend nuk mund të quhet më Republikë kur kryeministri e quan çdo plagë zhurmë, çdo pyetje pengesë, çdo dyshim histeri, çdo kritikë algoritëm dhe çdo kërkesë për llogari sulm ndaj timonit të tij.

Rama e quajti zhurmë atë që vetë e rriti me regji.

E quajti algoritëm atë që vetë e ushqeu me spektakël.

E quajti histeri atë që vetë e prodhoi me mungesë besimi.

Në Shqipëri, sot, kjo sëmundje ka emër politik.

Quhet AlgoRama.

Por emri është më i vogël se sëmundja.

Sëmundja quhet pushtet-regji: pushtet që kërkon audiencë në vend të qytetarëve, efekt në vend të besimit, metaforë në vend të dokumentit.

Derisa dokumenti fshihet pas metaforës, harta pas timonit dhe qytetari pas fjalës “zhurmë”, kufiri është i qartë, Rama duhet të largohet.

Republika nuk është studio.

Qytetari nuk është figurant.

Dokumenti nuk është dekor.

Timoni nuk është pronë.

AlgoRama duhet të mbarojë.

Arian Galdini

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo