Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se çmimet e produkteve bazë ushqimore janë stabile dhe se për momentin nuk ka nevojë për masa shtesë. Megjithatë, nëse kriza vazhdon dhe regjistrohet rritje e madhe e çmimeve, do të ndërmerren masa për të mbrojtur qytetarët.
“Nga 55 produktet më të shitura, rritja e çmimeve është minimale dhe arrin vetëm 0,43 për qind, që do të thotë se çmimet janë stabile. Nëse vërejmë sjellje devijante në treg, do të veprojmë njësoj si më parë. Rritja prej 0,43 për qind tregon se kemi stabilitet të çmimeve”, deklaroi Durmishi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të Planit Operativ për Punësim për vitin 2026.
Ai shtoi se, nëse kriza vazhdon dhe çmimet rriten ndjeshëm, do të vendosen masa të reja, ndërsa një nga opsionet që po shqyrtohen është ulja e TVSH-së.
Sa i përket inflacionit, Durmishi theksoi se vendi ka inflacion më të ulët krahasuar me disa shtete të tjera dhe se masat e ndërmarra deri tani po japin rezultate. Ai pret që deri në fund të javës, Enti Shtetëror i Statistikave të publikojë të dhënat më të reja për inflacionin.