Akuzat e forta të Azgan Haklajt: Rama e Berisha bashkë për interesat e kullave. SPAK ka mbështetjen e qytetarëve, ai mund ta shkatërrojë këtë aleancë

Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj mbështet protestën qytetare që hyn sot në ditën e 18 të saj dhe revolucionin e të rinjve që kërkojnë ndryshimin e klasës politike dhe rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ai shprehet se “Aleanca e Kullave” duhet të shembet dhe mbi të të ngrihet Republika e Re e Shqipërisë.

Duke e cilësuar si “Trekëndëshi i Bermudës” klasën e vjetër politike, ish-kandidati i Partisë Euroatlantike të drejtuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 11 majit, Haklaj kërkon edhe rrëzimin e dy brinjëve të tjera Rama-Berisha dhe përfundimin e tyre pas hekurave, sikurse edhe Ilir Meta më herët.

“Ilir Meta ndodhet prapa hekurave, ndërsa vullneti i qytetarëve në sheshe kërkon që dy brinjët e mbetura të këtij trekëndëshi, Edi Rama dhe Sali Berisha, të përballen me të njëjtën llogaridhënie ligjore. Megjithatë, përballë këtij presioni, sistemi ka reaguar përmes një aleance të re pragmatike. Nuk është më një sekret që pushteti i Edi Ramës, përmes strukturave të tij, i dhuroi vulën zyrtare të partisë grupimit të Rithemelimit të Sali Berishës”, shkruan ai në postimin e tij të gjatë në rrjetet sociale.

Më tej Haklaj teksa bën edhe një përmbledhje të të gjithë situatës, nënvizon besimin te drejtësia e re, duke nxitur që edhe protesta të japë mbështetje për SPAK-un që të bëjë arrestimet e bujshme të liderëve politikë, kurse Gjykata e Lartë të zgjidhë ngërçin e krijuar.

“Pa dashur të hamendësojmë mbi arsyet e kësaj vonese në shpalosjen e programit, një gjë është strategjikisht e sigurt: veprimi i vetëm i duhur dhe urgjent që duhet të bëjë protesta është rreshtimi dhe mbështetja pa ekuivok e SPAK-ut. Ky institucion është mjeti i vetëm legjitim për të shkatërruar përfundimisht dy brinjët e mbetura të Trekëndëshit të Bermudës, të cilat nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse aleancën e krimit, kullave dhe vulave të vjedhura dhe dhuruara. Përballë këtij fronti të përbashkët korruptiv, protesta nuk mund të mjaftohet me refuzimin, por duhet të lidhë aleancën e saj të madhe dhe të vetme: aleancën me SPAK-un dhe me parimet euroatlantike”, shprehet ish-deputeti.

Postimi i plotë i Azgan Haklajt:

“ALEANCA E VULAVE DHE KULLAVE PËRBALLË REPUBLIKËS SË RE:

PROTESTA DUHET TE MBËSHTES SPAK- un dhe GJYKATA E LARTË TE ÇLIROJE OPOZITËN NGA PENGMARRJA!

Sot në ditën e 18-të të qëndresës dhe revoltës qytetare, sheshi përpara institucioneve mbart në vete jo vetëm peshën e një zemërimi të grumbulluar ndër vite, por edhe një udhëkryq të madh historik për fatet e vendit.

Ndërsa qytetarët vazhdojnë të kërkojnë me ngulm një Shqipëri ndryshe, ky moment kulmues shërben për të analizuar me ftohtësi rrethanat dhe faktorët politikë që na sollën deri këtu.

Prej më shumë se një dekade, Partia Demokratike e Shqipërisë (Euroatlantikët sot), nën drejtimin e Lulzim Bashës, ka artikuluar me këmbëngulje ekzistencën e të ashtuquajturit “Trekëndëshi i Bermudës” – një simbiozë korruptive e mishëruar nga trinomi Rama-Meta-Berisha.

Koha, ky gjykatës i pagabueshëm i proceseve historike, po vërteton pikë për pikë këtë diagnozë politike.

Sot, peisazhi ka ndryshuar në mënyrë dramatike:

Ilir Meta ndodhet prapa hekurave, ndërsa vullneti i qytetarëve në sheshe kërkon që dy brinjët e mbetura të këtij trekëndëshi, Edi Rama dhe Sali Berisha, të përballen me të njëjtën llogaridhënie ligjore.

Megjithatë, përballë këtij presioni, sistemi ka reaguar përmes një aleance të re pragmatike.

Nuk është më një sekret që pushteti i Edi Ramës, përmes strukturave të tij, i dhuroi vulën zyrtare të partisë grupimit të Rithemelimit të Sali Berishës.

Ky akt, është kontestuar hapur nga demokratët euroatlantik’ dhe aktualisht është në proces rekursi në Gjykatën e Lartë, ç’ka per dëshmon se Partia Demokratike e Sali Berishës sot operon mbi bazën e një legjitimiteti të rremë, të rrëmbyer dhe të pagëzuar në zyrat e pushtetit socialist.

Kjo është një arsye më shumë që protesta e cilëson opozitën të shitur!

Ndaj është rasti t’i bëj thirrje publike Gjykatës së Lartë të çliroi opozitën nga pengmarrja e Ramës dhe Berishës sepse prej dy vitesh çështja është në zyrat e Gjykatës dhe pret të zgjidhet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo