UNDP i bashkohet Platformës Investuese për Tranzicion të Drejtë Energjetik, Ministria e Energjisë e mirëpriti partneritetin
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) e zyrtarizuan partneritetin e tyre në drejtim të mbështetjes së një tranzicioni energjetik të drejtë, të sigurt dhe të përballueshëm në vend.
Të dy institucionet sot nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, me të cilën UNDP u mirëprit zyrtarisht si partner i Platformës Investuese për Tranzicion të Drejtë Energjetik (Just Energy Transition Investment Platform – JETIP), duke forcuar më tej kapacitetin shtetëror për zbatimin e këtij procesi strategjik.
Platforma Investuese (JETIP) përfaqëson një mekanizëm kyç koordinues qeveritar. Qëllimi i saj është të lidhë investimet prioritare energjetike – si burimet e rinovueshme, rrjetet e transmetimit, ruajtjen e energjisë dhe fleksibilitetin e sistemit – me masa konkrete për tranzicion të drejtë. Kjo përfshin rikualifikimin e fuqisë punëtore, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve në rajonet që tradicionalisht varen nga qymyri.
„Përmes Platformës Investuese po ndërtojmë bazën për një tranzicion energjetik afatgjatë dhe të koordinuar që lidh investimet, politikat dhe nevojat e qytetarëve. Partneriteti me UNDP është i rëndësishëm sepse forcon më tej mbështetjen për komunitetet dhe aktorët lokalë që preken drejtpërdrejt nga tranzicioni. Bashkëpunimi me UNDP do të kontribuojë në fazën e ardhshme të zbatimit të JETIP përmes mbështetjes së zhvillimit lokal, planifikimit gjithëpërfshirës dhe forcimit të kapaciteteve për zbatimin e tranzicionit të drejtë përmes mbështetjes së palëve të interesuara dhe komuniteteve lokale”, theksoi ministrja për energjetikë, miniera dhe burime minerale, Sanja Božinovska, në këtë ngjarje, duke e mirëpritur partneritetin me UNDP.
Për Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), bashkimi me Platformën Investuese për Tranzicion të Drejtë Energjetik përfaqëson një pikë kthese strategjike dhe një hap kyç përpara në partneritetin me Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale).
Duke shënuar këtë partneritet, Armen Grigoryan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, theksoi se bashkimi me JETIP hap mundësi kyçe për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë në kuadër të përpjekjeve tërësisht të koordinuara.
„ Vendi ka treguar lidership të madh në lidhje me klimën me objektivin e tij ambicioz për të ulur emetimet e gazrave serrë me 82% deri në vitin 2030”, deklaroi Armen Grigoryan. “JETIP është motori që do ta shndërrojë këtë ambicie në realitet, me qëllim që të vendosen 1.7 gigavat kapacitete të energjisë së rinovueshme dhe të mobilizohen investime masive për
modernizimin e rrjetit, ruajtjen e energjisë dhe masat për tranzicion të drejtë. UNDP sjell vlerë të shtuar të rëndësishme në platformë përmes ekspertizës sonë. Ndikimin e këtij qasjeje tashmë e shohim përmes Programit “Instrumenti Financiar i Gjelbër” për investime në energji të rinovueshme dhe efikasitet energjetik për amvisëritë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, i cili financohet nga Fondi i Përbashkët për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Qeveria dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, theksoi Armen Grigoryan.
Proceset në kuadër të JETIP zbatohen me ndihmën e Njësisë së Mbështetjes Teknike, e cila është themeluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkup, me mbështetjen e Bloomberg Philanthropies. Kjo njësi mundëson koordinim të përditshëm dhe komunikim efikas mes të gjitha palëve të interesuara, të udhëhequra nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe partnerët e platformës.
