Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, zëvendësit e sekretares së përgjithshme, Boban Stojanovski dhe Nikolla Gjoshevski, morën pjesë në prezantimin e analizës së opinionit publik “Vështrim mbi Kuvendin: perceptimet e qytetarëve mbi punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (2026)”, zbatuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.
Në prezantim morën pjesë edhe ambasadori i Ambasadës së Konfederatës Zvicerane, Kristof Zomer, drejtori i Institutit Nacional Demokratik për Çështje Ndërkombëtare, Robert Skot Hajzlet, si dhe presidenti i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, Marko Troshanovski.
Nënkryetari Milloshoski e theksoi rëndësinë e perceptimit të qytetarëve mbi punën e Kuvendit dhe të deputetëve, duke nënvizuar se besimi në institucione ndërtohet nëpërmjet transparencës dhe komunikimit të vazhdueshëm me publikun. Ai theksoi se organizimi i debateve publike, dëgjimeve publike dhe vizitave të qytetarëve në Kuvend kontribuon që institucioni të jetë më afër qytetarëve dhe më i hapur ndaj qëndrimeve dhe nevojave të tyre. Njëkohësisht, Milloshoski theksoi se rol të rëndësishëm ka edhe mbulimi mediatik i këtyre aktiviteteve, me qëllim që publiku të informohet në kohë dhe në mënyrë objektive për punën e shtëpisë ligjvënëse.
Ambasadori Zomer, tha se opinioni publik është shumë i rëndësishëm, sepse kjo dëshmon se si t’u jepet përgjigje në mënyrë efikase pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve.
Analiza e opinionit publik mbi punën e Kuvendit do t’u prezantohet të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend.
Analiza është përgatitur nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare, projekt i Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, nën patronazhin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Analiza përfshin anketë në terren mbi perceptimet e qytetarëve për punën e Kuvendit lidhur me çështje të rëndësishme si: anëtarësimi në BE, çështjet ekonomike dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, transparencën e institucioneve dhe mirëqenien sociale.