Sot, Grupi Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Italisë zhvilloi takim me ambasadorin italian në vend, Sh.T. Paolo Palminteri.
Në këtë takim, përveç kryetarit të Grupit Parlamentar, Elmi Aziri, morën pjesë edhe anëtarët: Bllagica LLasovska, Dimitar Kovaçevski dhe Mevmed Xhaferi.
Kryetari Aziri shprehu mirënjohje për iniciativën e këtij takimi, duke theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë tradicionalisht të mira dhe miqësore, ndërsa bashkëpunimi ekonomik vazhdon trendin shumëvjeçar – Italia, prej dekadash, është ndër dhjetë partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë të Maqedonisë së Veriut.
Në planin ndërparlamentar, u theksua se për më shumë se dy dekada formohen grupe parlamentare për bashkëpunim me Parlamentin Italian, ndërsa edhe në Parlamentin Italian është formuar një grup i përzier miqësie me vendet e rajonit. Me këtë rast, Aziri shprehu gatishmërinë për bashkëpunim më të afërt ndërmjet grupeve, si vazhdim i bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral.
Lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit tonë, Aziri theksoi se e vlerësojmë lart mbështetjen e pakushtëzuar dhe mbi të gjitha të zëshme nga Italia, e cila për ne paraqet konfirmim të qartë të të gjitha përpjekjeve tona për realizimin e qëllimit strategjik dhe dëshirës së qytetarëve tanë – të jemi pjesë e familjes evropiane të popujve.
Nga ana e tij, ambasadori Palminteri theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për vendin, kur liderët evropianë janë të përkushtuar ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se ky moment duhet të shfrytëzohet.
Bashkëbiseduesit dhe ambasadori Palminteri e theksuan rëndësinë e madhe të diasporës sonë në Itali, e cila është integruar me sukses dhe është pozicionuar mirë në shoqërinë italiane, duke përfaqësuar urë për avancimin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Shteti ynë pret që Parlamenti Italian sa më shpejt ta ratifikojë Marrëveshjen për Sigurime Sociale, me qëllim që mërgimtarët tanë të mund t’i realizojnë pa pengesa të drejtat e tyre pensionale dhe sociale.
Në fund të takimit, të pranishmit theksuan se Maqedonia e Veriut mbetet e hapur edhe për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm reciprok ndërmjet delegacioneve tona të përhershme në asambletë e tjera parlamentare ndërkombëtare – AP e Këshillit të Evropës, AP e OSBE-së, IPU dhe AP e Mesdheut, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e segmenteve të tjera të bashkëpunimit ndërshtetëror – përveç ekonomisë, edhe në kulturë, arsim, turizëm, shëndetësi dhe fusha të ngjashme.