Shqipëria përballë një momenti kyç në rrugën drejt BE-së, mbahet sot në Bruksel konferenca ndërqeveritare
Mbahet sot në Bruksel Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, një zhvillim i konsideruar si ndër momentet më të rëndësishme në procesin e integrimit europian të vendit. Takimi pritet të shënojë një etapë të re në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke hapur rrugën drejt fazës përmbyllëse të bisedimeve me bllokun europian.
Konferenca zhvillohet në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe organizohet nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, COREPER. Në fokus të diskutimeve do të jetë ecuria e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga BE-ja, si dhe vendosja e standardeve përmbyllëse për Grupin 1 “Bazat”, që konsiderohet një nga grupkapitujt më të rëndësishëm të negociatave.
Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit pritet të konfirmojë përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria për kapitujt kyç që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike. Në këtë grup përfshihen Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Po ashtu, pjesë e Grupit 1 janë edhe Kapitulli 5 për prokurimin publik, Kapitulli 18 për statistikat dhe Kapitulli 32 për kontrollin financiar, fusha të cilat konsiderohen themelore për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Vendimi i vendeve anëtare për të avancuar me këtë fazë të negociatave vjen pas një serie raportesh pozitive dhe vlerësimesh nga institucionet europiane për progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. Në mënyrë të veçantë, BE-ja ka vlerësuar avancimin në forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e funksionimit të institucioneve demokratike dhe vijimin e reformave strukturore të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit.
Një peshë të rëndësishme në këto vlerësime vijon të mbajë reforma në drejtësi, e konsideruar si një nga shtyllat kryesore të procesit të negociatave. Sipas raporteve të Bashkimit Europian, Shqipëria ka shënuar progres në forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Institucionet europiane kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të reformave për garantimin e transparencës, funksionimit të administratës publike sipas standardeve europiane dhe krijimin e një klime më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe investimet.