Shmangie tatimore mbi 7.4 milionë denarë: Padi penale ndaj dy menaxherëve dhe një kompanie në Shkup





Drejtoria e Policisë Financiare ka zbuluar një rast të shmangies tatimore në vlerë prej 7.426.323 denarë, me ç’rast ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër dy personave menaxherë të një personi juridik dhe kundër vetë personit juridik. Siç njofton Drejtoria, të denoncuarit M. SH. dhe ZH. R., si menaxherë të kompanisë, dyshohen se në disa raste, me vetëdije dhe me qëllim të përfitimit të paligjshëm pasuror, nuk kanë llogaritur, nuk kanë deklaruar dhe nuk kanë paguar tatim mbi fitimin në vlerë prej 7.200.200 denarë dhe tatim mbi të ardhurat personale në vlerë prej 226.123 denarë.

Sipas të dhënave, për vitin 2020 ata kanë dorëzuar bilanc tatimor për përcaktimin e tatimit mbi fitimin në të cilin kanë paraqitur të dhëna të rreme, ndërsa për vitet 2021 dhe 2022 nuk kanë dorëzuar fare bilance tatimore për përcaktimin e tatimit mbi fitimin, gjë që bie ndesh me evidencën kontabël dhe rezultatin financiar të treguar në bruto-bilancet e shoqërisë. Gjithashtu, të njëjtit nga llogaritë bankare të personit juridik kanë tërhequr mjete financiare në baza të ndryshme dhe kanë kryer pagesa që nuk lidhen me veprimtarinë e kompanisë, pa pasur asnjë dëshmi në dokumentacionin kontabël për arsyetimin e tyre ekonomik. Me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve inkriminuese, ata nuk kanë dorëzuar llogaritë përfundimtare për vitet 2022, 2023 dhe 2024 në Regjistrin Qendror të RMV-së. Me këto aktivitete të paligjshme është dëmtuar Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa lënda është dorëzuar në prokurorinë kompetente për procedim të mëtejshëm.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo