Në një raport drejtuar Kongresit, Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron një qasje të re ndaj Ballkanit Perëndimor: më pak ndërhyrje, më shumë partneritet, bashkëpunim ekonomik dhe stabilitet të sigurisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e braktisin politikën e ndërtimit të shteteve dhe ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor, duke u orientuar drejt bashkëpunimit dhe partneriteteve të ndërsjella. Kjo thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar Kongresit për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raportin e përcjellim në tërësi:
Promovimi i stabilitetit dhe avancimi i interesave ekonomike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor i bën Shtetet e Bashkuara më të sigurta, më të forta dhe më të begata. Administrata amerikane po zbaton një politikë të avancuar në rajon, të fokusuar në zgjerimin e partneriteteve, përballjen me kërcënimet që ndikojnë mbi Shtetet e Bashkuara dhe stabilitetin rajonal, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Aktorët keqdashës mund ta shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë rajonale në dëm të interesave amerikane. Investimet e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadave të fundit kanë dhënë rezultate reale, përfshirë marrëdhënie të forta dhe pozitive me të gjashtë vendet e rajonit: Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë.
Stabiliteti që është nxitur nga përpjekjet amerikane ka ndihmuar në krijimin e një baze që mbështet një lloj tjetër angazhimi të SHBA-së. Epoka e ndërtimit të kombeve e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka kaluar. Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk ka të bëjë më me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë.
Administrata është e përqendruar në fuqizimin e aktorëve lokalë që ata vetë t’i zgjidhin sfidat e tyre, në vend që të vazhdohet varësia e tepruar nga ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë aty ku përfshirja e tyre është e dëshiruar dhe ku ajo i avancon interesat amerikane.
Ruajtja e stabilitetit
Shtylla kryesore e politikës së Administratës është ruajtja e stabilitetit në rajon si parakusht për arritjen e qëllimeve të tjera. Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në zhvillimin e marrëdhënieve pozitive me të gjithë aktorët në rajon.
Që nga janari, përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit dhe të Qeverisë amerikane kanë zhvilluar takime të shumta me liderët e të gjashtë vendeve. Administrata planifikon të zhvillojë dialogë në vitin 2026 me Maqedoninë dhe Serbinë.
Mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe ndasitë e gjata e minojnë stabilitetin rajonal. Në Bosnjë e Hercegovinë, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, si dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në vitin 2025, diplomacia e vendosur amerikane ndihmoi në përfundimin e krizës më të rëndë në Bosnjë e Hercegovinë që nga konflikti i viteve 1992-1995, duke ruajtur kohezionin ligjor dhe rendin kushtetues të vendit. Administrata synon ta konsolidojë këtë stabilitet dhe do të vazhdojë t’i inkurajojë aktorët në Bosnjë e Hercegovinë që të shmangin veprimet destabilizuese dhe përçarëse, të cilat mund t’i dëmtojnë mundësitë për avancimin e agjendës së përbashkët ekonomike.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i inkurajojnë Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.
Shtetet e Bashkuara do t’i shfrytëzojnë aktivitetet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, përfshirë stërvitjet e përbashkëta, trajnimet dhe programet këshilluese, për të avancuar ndarjen e barrës me partnerët dhe aleatët evropianë.
Integrimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO e ka bërë Aleancën më të fortë. Administrata do të vazhdojë t’i inkurajojë vendet që t’i modernizojnë ushtritë e tyre dhe t’i përmbushin objektivat e kapaciteteve të NATO-s, përfshirë edhe zotimin për shpenzimin e 5 për qind të BPV-së për mbrojtje, të dakorduar në Samitin e Hagës.
Administrata do të angazhojë platforma multilaterale, si Karta e Adriatikut SHBA-A5, për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjet e udhëhequra në nivel lokal për sfidat rajonale të sigurisë.
Forcat e Armatosura të SHBA-së vazhdojnë të marrin pjesë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, që përbën një komponent kyç për sigurimin e një mjedisi paqësor dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë.
Administrata vazhdon ta mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si forcë shumetnike, në një forcë profesionale për mbrojtje territoriale. Po ashtu, ajo e inkurajon Bosnjë e Hercegovinën që ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.
Kosova dhe Shqipëria janë vende themeluese të Bordit për Paqe dhe do t’i bashkohen Bosnjë e Hercegovinës si kontribuuese në Forcat Ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës, duke theksuar kalimin e rajonit nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj. Administrata do të vazhdojë ta zgjerojë bashkëpunimin e sigurisë dhe mbrojtjes me Serbinë në mënyra që avancojnë interesat amerikane.
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar
Shtylla e dytë e politikës së Administratës për Ballkanin Perëndimor është konkurrenca për interesat komerciale amerikane në një rajon që ofron mundësi ekonomike.
Me një popullsi prej 18 milionë banorësh, rajoni ndodhet në korridore të rëndësishme transporti, posedon burime natyrore, një sektor teknologjik në rritje dhe fuqi punëtore të kualifikuar.
Në bashkëpunim me qeveritë, Shtetet e Bashkuara do të nxisin përpjekjet lokale për përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e pengesave rregullatore, forcimin e zbatimit të kontratave dhe sigurimin e proceseve transparente të prokurimit publik, që u shërbejnë kompanive amerikane.
Prioritet i Administratës është puna me partnerët për forcimin e mekanizmave të kontrollit të investimeve, të cilët mbrojnë infrastrukturën kritike nga marrja nën kontroll nga aktorë të huaj grabitqarë.
Për avancimin e këtyre qëllimeve, Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë me Departamentin e Tregtisë, Korporatën Ndërkombëtare për Financim të Zhvillimit, Bankën Eksport-Import, Agjencinë për Tregti dhe Zhvillim, si dhe agjenci të tjera, me qëllim identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e marrëveshjeve që janë në dobi të kompanive amerikane dhe ekonomive rajonale.
Qasja në treg është thelbësore. Administrata është e përqendruar në sigurimin e tregtisë së drejtë dhe reciproke, si dhe në eliminimin e barrierave për kompanitë amerikane. Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së po negocion marrëveshje për tregti reciproke me Maqedoninë dhe Serbinë. Marrëveshja kornizë e shkurtit me Maqedoninë do t’u mundësojë eksportuesve amerikanë qasje të paprecedentë në këtë treg.
Rajoni përballet me mungesë infrastrukture. Rrjetet fizike të transportit mbeten prapa standardeve evropiane, gjë që i rrit kostot për bizneset dhe kufizon integrimin e tregut. Infrastruktura digjitale gjithashtu përbën sfidë, për shkak të mbulimit të pabarabartë me internet të shpejtë dhe kapaciteteve të pamjaftueshme për siguri kibernetike, të nevojshme për mbrojtjen e rrjeteve digjitale në rritje të rajonit.
Infrastruktura energjetike është e vjetruar, joefikase dhe në disa raste tepër e varur nga importet ruse. Shtetet e Bashkuara do të synojnë investime në infrastrukturë në partneritet me kompanitë amerikane.
Administrata do të punojë që firmave amerikane t’u sigurohen mundësi për të dhënë kontribut të rëndësishëm në korridoret strategjike infrastrukturore, përfshirë Korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin 8, nga Adriatiku deri në Detin e Zi.
Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin forumet rajonale, si Nisma e Tre Deteve, dhe do të punojnë për zgjerimin e marrëveshjeve bilaterale, duke u mbështetur në marrëveshjen ndërqeveritare mes SHBA-së dhe Serbisë për infrastrukturën energjetike të vitit 2024.
Marrëveshjet ndërqeveritare u mundësojnë kompanive amerikane të konkurrojnë në mënyrë më efikase për projekte strategjike në transport, teknologji informative dhe komunikuese, si dhe në industrinë e mbrojtjes, përballë konkurrentëve kundërshtarë dhe atyre me standarde të ulëta.
Varësia energjetike nga Rusia mbetet një cenueshmëri strategjike në rajon. Diversifikimi i furnizimeve energjetike, përfshirë burimet e bollshme amerikane të energjisë, rrit stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Gazi natyror i lëngshëm amerikan, teknologjia bërthamore, përfshirë reaktorët e vegjël modularë, dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë ofrojnë alternativa komercialisht tërheqëse dhe gjeopolitikisht të sigurta.
Të gjitha këto vende morën pjesë në Samitin Transatlantik për Sigurinë e Gazit në shkurt. Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nënshkruan një deklaratë të përbashkët për investime që mund të rrisin furnizimin e sigurt dhe të qëndrueshëm me energji për Evropën.
Departamenti do të angazhohet në mënyrë aktive për ta kthyer interesin rajonal në marrëveshje komerciale. Projektet prioritare përfshijnë gazsjellësin e Interkoneksionit Jugor ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës; interkonektorin e propozuar të gazit Serbi-Maqedoni; zhvillimin e hidroenergjetikës në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni dhe Serbi; modernizimin e termocentraleve me qymyr në Kosovë dhe projektet për gazifikimin e qymyrit; si dhe linja shtesë transmetimi që lidhin rrjetet e Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane.
Angazhimi i sektorit privat amerikan në këto projekte e avancon qëllimin e Administratës për eliminimin e gazit rus të pasigurt në rajon dhe e forcon qasjen e SHBA-së në treg.
Qeverisja e dobët i largon investimet, e dëmton konkurrencën dhe shërben si kanal për krimin e organizuar transnacional. Shtetet e Bashkuara kanë interes komercial dhe strategjik për t’i mbështetur reformat që krijojnë mjedise biznesi të parashikueshme, transparente dhe të bazuara në rregulla, ku kompanitë amerikane mund të zhvillohen.
Programi për Zhvillimin e së Drejtës Tregtare vazhdon të ndërtojë kapacitetet e partnerëve për përmirësimin e gjykatave tregtare, zhvillimin e ligjeve për kontrollin e investimeve dhe sigurimin që rregullat e prokurimit publik të mundësojnë kushte të barabarta konkurrimi për kompanitë amerikane.
Byroja për Luftën Ndërkombëtare kundër Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit bashkëpunon me organet e zbatimit të ligjit dhe prokuroritë në rajon për promovimin e qeverisjes së mirë dhe goditjen e organizatave kriminale transnacionale që kanë lidhje me aktivitete të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, përfshirë përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale.
Përballja me kërcënimet ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor
Ndikimi keqdashës: Kina dhe Rusia po përpiqen në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët në rajon.
Ruajtja e stabilitetit dhe zgjerimi i bashkëpunimit komercial janë mjete të fuqishme për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse në Ballkanin Perëndimor.
Moska nxit pakënaqësitë etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor rezervat e hidrokarbureve për të ushtruar presion mbi politikanët dhe për të dobësuar besimin publik në institucionet perëndimore.
Kina po e zgjeron fuqinë e saj të butë, ndërsa Pekini përdor tregtinë, huatë e mbështetura nga shteti, ryshfetin, propagandën dhe partneritetet në nivel elitash për ta rritur ndikimin e vet, duke u përqendruar në fusha me transparencë të ulët dhe qeverisje të dobët.
Kompanitë kineze shpesh japin ofertat më të ulëta në tenderët publikë, për të zbuluar më pas tejkalime të kostove dhe vonesa të projekteve, që në masë të madhe i rrisin shpenzimet reale.
Fokusi i Administratës në stabilitetin rajonal dhe angazhimin komercial është mbrojtja më e qëndrueshme kundër të dy formave të ndërhyrjes. Vendet me ekonomi në rritje dhe institucione transparente janë shumë më pak të ndjeshme ndaj manipulimeve.
Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani Perëndimor paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për territorin amerikan.
Rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë krijuar lidhje që i forcojnë dhe i pasurojnë kartelet e drogës në Hemisferën Perëndimore, të cilat janë shpallur organizata të huaja terroriste. Këto kartele, nga ana tjetër, kontrabandojnë narkotikë të paligjshëm dhe ndihmojnë emigracionin ilegal drejt Shteteve të Bashkuara.
Kjo Administratë do t’i godasë dhe shpërbëjë këto rrjete kudo që veprojnë, siç u dëshmua në vitin 2025 me sanksionimin e disa shtetasve nga Ballkani Perëndimor të lidhur me kartele që veprojnë në Hemisferën Perëndimore dhe që janë shpallur organizata të huaja terroriste.
Programet e Byrosë për Luftën Ndërkombëtare kundër Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit kanë si prioritet partneritetin me aktorët lokalë, me qëllim goditjen e organizatave kriminale transnacionale, ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të drogës drejt SHBA-së, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe rrjedhave të paligjshme financiare.
Strategjia për shfrytëzimin e fondeve
Administrata po i orienton burimet drejt aktiviteteve që sjellin përfitime të qarta dhe të dëshmueshme për interesat amerikane, duke u dhënë përparësi rezultateve afatshkurtra dhe të matshme, në vend të ndërtimit afatgjatë dhe të pakufizuar të institucioneve.
Programet për angazhim komercial do të vënë theksin te lehtësimi i marrëveshjeve, qasja në treg dhe reformat në klimën e investimeve, aktivitete që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për kompanitë amerikane.
Programet për zbatimin e ligjit u japin përparësi operacioneve kundër grupeve të organizuara kriminale, krimit kibernetik, pastrimit të parave dhe forcimit të sigurisë kufitare.
Burimet për diplomacinë publike mbështesin lidhjet ndërmjet njerëzve, shkëmbimet arsimore dhe përcjelljen e vlerës së ofertës komerciale amerikane te publiku rajonal, komunitetet e biznesit dhe qeveritë.
Administrata vazhdon të angazhohet në programe që promovojnë kontrollin e armatimit dhe e përforcojnë domosdoshmërinë e ndarjes së barrës, e cila mbështet angazhimin amerikan në fushën e sigurisë në të gjithë rajonin. Kjo përfshin uljen dhe zbutjen e rreziqeve nga armët, çminimin, arsimin dhe trajnimin ndërkombëtar ushtarak, si dhe operacionet paqeruajtëse.