Rezervuari i ri, shpresë për banorët e Rostushës

Aktualisht, në fshatin Rostushë ka filluar ndërtimi i një rezervuari për ujë, i cili ka qenë një nevojë e kamotshme. Sipas përfaqësuesve të Komunës së Mavrovë-Rostushës, projekti ka rëndësi jetike për sigurimin e furnizimit stabil me ujë për këtë fshat, ku janë të përqendruara edhe organet lokale të komunës

Vjollca SADIKU

Dibër, 14 maj – Komunat rurale në pjesën perëndimore të vendit, të cilat në të kaluarën në një pjesë të tyre kanë qenë territor i Komunës së Dibrës dhe i Komunës së Gostivarit, vëmendje të veçantë po i kushtojnë furnizimit me ujë të vendbanimeve të tyre. Kështu po vepron edhe Komuna e Mavrovë-Rostushës, ku aktualisht po realizohen projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë. Aktualisht, në fshatin Rostushë ka filluar ndërtimi i një rezervuari për ujë, i cili ka qenë një nevojë e kamotshme. Sipas përfaqësuesve të Komunës së Mavrovë-Rostushës, projekti ka rëndësi jetike për sigurimin e furnizimit stabil me ujë për këtë fshat, ku janë të përqendruara edhe organet lokale të komunës.

Kryetari i komunës, Oner Jakuposki, gjatë vizitës në vendpunimet e rezervuarit, deklaroi se komuna është e fokusuar maksimalisht në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë. Ai potencoi se me këtë projekt do të tejkalohen përfundimisht problemet me furnizimin me ujë në fshat. “Punohet intensivisht në këtë projekt, i cili pritet të përfundojë në kohë”, tha ai.

Në Komunën e Mavrovë-Rostushës thonë se projekte të tilla kapitale do të realizohen edhe në disa fshatra të tjerë. Burime nga komuna bëjnë të ditur se projekte për furnizim stabil me ujë do të ketë si në fshatrat e Rekës së Poshtme, ashtu edhe në ato të Rekës së Epërme, por edhe në pjesën e Mavrovës. Problemet në sferën e furnizimit me ujë në këtë komunë rurale janë të shumta. “Këto fshatra janë lënë pas dore për shumë vite, por besojmë se gjatë këtij viti do të tejkalohet problemi me furnizimin me ujë në disa prej tyre”, thonë nga komuna.

Sektori qytetar në këtë komunë potencon se projektet që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë janë shumë jetike. Sipas tyre, pa ujë nuk mund të ketë jetë të qetë për popullatën lokale, ndërsa njëkohësisht, nëse komuna synon zhvillim turistik, patjetër duhet të sigurojë furnizim me ujë për të gjitha vendbanimet. Shumë domethënës është edhe fakti se pjesa më e madhe e territorit të kësaj komune ndodhet brenda Parkut Nacional të Mavrovës, i cili synon të nxisë zhvillimin lokal dhe turistik të komunës. (koha.mk

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo