Qeveria po përgatit masa për ti ”goditur” kreditë e shpejta

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria po përgatit masa edhe për kufizimin e kredive të shpejta, pasi më herët u miratua Propozim-ligji i ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese.

Ai tha se, sipas analizave të Qeverisë, pikërisht borxhet janë një nga arsyet pse qytetarët po braktisin vendin.

“Duke pasur parasysh të gjithë parametrat që lidhen me këtë industri, ekzistojnë standarde dhe politika të caktuara që kjo Qeveri i ndjek. Qytetet, me reklamat dhe billbordet ndriçuese, duken sikur kazinotë janë industria kryesore. Kësaj perceptimi do t’i vijë fundi”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se pranë kazinove dhe bastoreve sportive shpesh hapen edhe zyra për kredi të shpejta.

“Pranë këtyre kazinove, si rregull, hapen zyra për kredi të shpejta. Gjëja tjetër mbi të cilën do të punojmë është pikërisht kjo”, deklaroi kryeministri.

I pyetur nëse Qeveria planifikon kufizime konkrete për kompanitë që japin kredi të shpejta, Mickoski konfirmoi se po punohet për zgjidhje të tilla, por pa dhënë detaje.

“Po punojmë për t’i kufizuar, por nuk do të doja të jap më shumë detaje”, tha Mickoski.

Sipas tij, analizat kanë treguar se borxhet janë një problem serioz shoqëror.

“Në bazë të analizës së bërë, pjesa më e madhe e njerëzve, si arsye për largimin nga shteti, përmendin faktin se u janë grumbulluar borxhe. Në aspektin moral, me këtë ligj do ta përmirësojmë gjendjen në shtet”, shtoi kryeministri.

Më herët, Qeveria njoftoi se e ka përcaktuar tekstin e ri të harmonizuar të Propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me të cilin vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e bixhozit, si dhe ndalohet që kazinotë dhe bastoret të ndodhen më afër se 500 metra nga shkollat.

Nga Qeveria thonë se deri më tani janë mbyllur 358 platforma të huaja ilegale online për lojëra fati.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo