Nga 1 qershori 2026, Qeveria e Kosovës do të subvencionojë aviokompanitë që sjellin në vend mërgimtarët, transmeton Anadolu.
Programi për subvencionimin e aviokompanive do të vlejë për linjat për disa shtete evropiane dhe do të kushtëzohet me realizimin e fluturimeve mbi 85 për qind.
Mediat në Kosovë që kanë siguruar dokumentin të cilin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ua ka dërguar partnerëve, kanë bërë të ditur se kompanitë e avionëve do të mund të përfitojnë nga subvencionimi qeveritar nga 3 deri në 6 euro për pasagjer.
Ky subvencionim do të vlejë për kompanitë ajrore që kanë linja fluturimi për në Zvicër, Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, Francë, Suedi, Finlandë, Norvegji dhe Danimarkë.
Për t’u bërë pjesë e këtij programi kompanitë ajrore duhet të dorëzojnë orarin operacional të fluturimeve në aeroport dhe subvencionimi do të bëhet pas rishikimit dhe verifikimit të performancës në fund të sezonit veror të aviacionit, më 24 tetori 2026.
Aviokompanitë do të përballen me tri kritere mbi të cilat do të jetë i mundur përfitimi nga kjo mbështetje e Qeverisë prej 2 milionë eurosh. Sipas kriterit të parë, linja ajrore që pranohet për këtë program duhet të realizojë të paktën 85 për qind të fluturimeve të planifikuara dhe nëse e realizon këtë, për çdo pasagjer që është nisur do të marrë 3 euro mbështetje.
Kriteri i dytë përcakton se nëse kompania ajrore bën më shumë fluturime sesa orari bazë që e ka planifikuar, do të kompensohet për 6 euro për secilin pasagjer shtesë që është nisur. Por, për ta plotësuar këtë kusht, për secilin fluturim shtesë duhet që 80 për qind e vendeve në avion të kenë qenë të zëna.
Dhe, kriteri i tretë i mbështetjes do të plotësohet nëse kompania ajrore hap linja në destinacione të reja që s’i ka pasur më parë nga Aeroporti i Prishtinës dhe ato funksionojnë me kapacitet prej 80 për qind të numrit të pasagjerëve dhe për secilin prej tyre do të kompensohet me nga 6 euro.
Në këtë dokument të Aeroportit thuhet po ashtu se, në koordinim me palët relevante institucionale, iniciativa u mor për të ruajtur e rritur lidhjet ajrore të Kosovës me Evropën.