Promovohet udhëzuesi online për kualifikime – mjet digjital i cili do ta lehtësojë zgjedhjen e nxënësve të shkollës fillore gjatë regjistrimit në arsimin e mesëm
Për t’ua lehtësuar zgjedhjen nxënësve të klasës së nëntë gjatë regjistrimit në arsimin
e mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për Zhvillimin e Arsimit
Profesional, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, përgatitën udhëzuesin online
për kualifikime – kvalifikacii.crso.gov.mk, i cili do t’u mundësojë të sjellin vendim të
informuar dhe të drejtë për profesionin në të cilin do të vazhdojnë të edukohen edhe
në të ardhmen të punojnë.
Në promovimin e sotëm të udhëzuesit, nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës prof. dr.
Vesna Janevska, drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik
Zendeli dhe zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihal Harari, u theksua se për herë të
parë të gjitha informacionet për arsimin profesional janë centralizuar në një vend dhe
të sistematizuara në mënyrë që mundëson kërkim të lehtë sipas sektorëve,
kualifikimeve, rajoneve, shkollave dhe niveleve.
“Udhëzuesi ka rol informues dhe këshillues dhe do t’u ndihmojë nxënësve dhe
prindërve të tyre që më mirë t’i kuptojnë drejtimet arsimore, perspektivat për arsimim
të mëtejshëm, si dhe mundësitë për punësim dhe zhvillim në karrierë. Besoj se të
rinjtë do ta përdorin dhe do ta lehtësojnë zgjedhjen e shkollës së mesme kur të vijë
momenti për këtë”, tha Vesna Janevska.
Politikë publike prej disa vitesh me radhë është, tha ministrja, t’i orientojmë të rinjtë
drejt zgjedhjes së arsimit të mesëm profesional, sepse ky është arsimi që kërkohet
nga tregu i punës në Maqedoni dhe kjo është e ardhmja e shumë nxënësve të
tanishëm të shkollave fillore.
“Nuk do të ishte modesti nëse them se kemi sistem jashtëzakonisht cilësor të arsimit
të mesëm profesional dhe veçanërisht model efikas të arsimit dual ku fokusi është
vendosur te mësimi përmes punës, përkatësisht mësimi praktik realizohet në vend
real pune në kompani, në vend të klasës. Më gëzon që ky lloj arsimi nuk është
vetëm alternativë për nxënësit, por tashmë prej disa viteve shkollore është zgjedhja
e parë, kështu që në këtë vit shkollor vijues nga 17 mijë nxënës të regjistruar në vitin
e parë, rreth 12 mijë janë regjistruar në shkolla profesionale”, informoi Janevska.
Politika e regjistrimit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është e njëjtë edhe për
vitin e ri shkollor. Konkursi i shpallur, i përgatitur së bashku me komunat dhe
komunitetin e biznesit, ofron 25 mijë vende të lira, nga të cilat 17 mijë janë në shkolla
profesionale. Prej tyre, pothuajse 7 mijë janë në paralelet duale, ku mësimi praktik
do të realizohet nga mbi 1000 kompani që e njohin përfitimin nga përfshirja e
drejtpërdrejtë në formësimin e forcës së tyre potenciale të punës.

Këto rezultate, të favorshme për ekonominë tonë dhe për zvogëlimin e hendekut
midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, i kemi arritur me mbështetjen e disa
partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa veçanërisht një mbështetëse e
madhe është Qeveria Zvicerane dhe agjencitë e saj, kështu që besoj se për arritje të
reja në të ardhmen, bashkëpunimin do ta ngrisim në një nivel edhe më të lartë”, shtoi
ministrja.
Nëse informacioni nuk është i qartë dhe i qasshëm – zgjedhja nuk është zgjedhje e
vërtetë, prandaj sot nuk promovojmë vetëm një platformë, sot po ndryshojmë
mënyrën e të menduarit”, tha drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional,
Besnik Zendeli, duke shtuar se institucioni merr përgjegjësinë që platforma të
përditësohet vazhdimisht dhe të jetë burim i besueshëm dhe gjithëpërfshirës i
informacionit për arsimin profesional në vend.
Kjo platformë përfaqëson hap të rëndësishëm përpara në mënyrën se si institucionet
publike komunikojnë me qytetarët, kalim nga komunikimi njëkahësh drejt një qasjeje
të orientuar ndaj përdoruesit, e cila kontribuon në ndërtimin e besimit, transparencës
më të madhe dhe afrimin e institucioneve me qytetarët”, theksoi
zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihail Harari.