Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij taxhikistanas Emomali Rahmon, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
Gjatë bisedimeve, Xi Jinping-u u shpreh që tani situata ndërkombëtare është e paqëndrueshme, por pavarësisht se si ndryshon ajo, Kina dhe Taxhikistani do të jenë gjithmonë fqinjë, miq dhe partnerë të mirë me mbështetje e besim të ndërsjellë dhe me zhvillim të përbashkët. Kina është e gatshme të punojë me Taxhikistanin për të promovuar ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët ndërmjet të dy vendeve në dobi të popujve të tyre.
Kreu i shtetit kinez theksoi se Kina e mbështet Taxhikistanin në mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare. Të dy palët duhet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë së gjelbër, të ekonomisë digjitale, të qyteteve të zgjuara, të inteligjencës artificiale etj., të thellojnë shkëmbimet njerëzore, të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të luftojnë së bashku kundër terrorizmit, separatizmit e ekstremizmit, për të mbrojtur së bashku qëndrueshmërinë rajonale. Pala kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me palën taxhikistanase në kuadër të OKB-së, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Mekanizmit Kinë-Azi Qendrore etj., për të zbatuar multilateralizmin e vërtetë, duke nxitur ndërtimin e një sistemi më të barabartë e më të arsyeshëm të qeverisjes globale.
Nga ana e tij, Emomali Rahmon theksoi që Taxhikistani i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine” dhe mirëpret forcimin e bashkëpunimit me Kinën në fushën e mineraleve kritike, inteligjencës artificiale dhe inovacionit tekniko-shkencor. Taxhikistani i vlerëson lart përpjekjet e palodhshme të Kinës për zgjidhjen politike të problemeve të nxehta ndërkombëtare dhe rolin e rëndësishëm të saj për zbutjen e situatës në Lindjen e Mesme.
Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit nënshkruan “Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë të përhershme dhe të bashkëpunimit miqësor Kinë-Taxhikistan” dhe “Deklaratën e përbashkët Kinë-Taxhikistan për thellimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik në epokën e re”, si edhe dëshmuan nënshkrimin e mbi dhjetë marrëveshje të bashkëpunimit lidhur me bujqësinë, kulturën, arsimin, ndërtimin e banesave, karantinën, mbikëqyrjen e tregut etj.
Para bisedimeve, Xi Jinping-u mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për homologun taxhikistanas.