Pollogu pret deponinë moderne, tenderi shtyhet vazhdimisht

Deponia rajonale në rajonin e Pollogut vazhdon të mbetet ende projekt në letër, pa zbatim në terren, shkruan Portalb.mk.

Pas disa shkeljeve të afateve dhe zvarritjeve të procedurave, tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk është shpallur ende, ndërsa nuk dihet ende se kur do të shpallet i njëjti.

Tenderi ishte planifikuar të shpallej në shtator 2025 por nuk u bë, ndërsa nga Ministria e Mjedisit në nëntor 2025 thanë se i njëjti pritet të shpallet brenda gjashtë muajve, ndërsa në shkurt 2026 ndryshuan fjalët, thanë se tenderi do të shpallet këtë vit, pa precizuar afate konkrete.

Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha thotë se procesi vijon, por duke mos përmendur afate konkrete kohore.

“Ne punojmë në zgjidhje afatgjatë të këtij problemi, apo ndërtimit të qendrave rajonale të grumbullimit të mbeturinave. Disa herë e kam theksuar dhe po e përsëris se jemi në përgatitje të dokumentacionit për shpalljen e thirrjes për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do fillojë me ndërtimin e qendrave të para që do jenë në Rusino dhe Novaci”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka paralajmëruar formimin e sektorit të veçantë të ekologjisë dhe energjetikës në komunë, i cili pritet të kontribuojë në këtë drejtim.

“Komuna e Tetovës jo që nuk ka pasur kapacitete deri më tani por ajo që ka munguar e që kemi nisur hapat e parë, ka qenë koordinimi i gjithë resurseve që ka pasur komuna. Tanimë më me themelimin e sektorit për ambient jetësor e energjetikë, sigurisht që do kemi aktivitet më të koordinuar në drejtim të mbrojtjes së ambientit jetësor”, tha Kasami.

Kujtojmë se Qeveria e RMV-së më 15 prill 2025 e miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog.

Sipas projektit, planifikohet ndërtimi i një deponie sanitare dhe mbyllja e deponisë së vjetër, nëpërmjet përmirësimit të vendndodhjes ekzistuese të deponisë konstante të Rusinos, do të vendoset në përputhje me Direktivën Kuadër të Mbetjeve të BE-së, Direktivën e Deponive dhe konkluzionet e Teknologjisë më të Mirë të Disponueshme (BAT) për trajtimin e mbeturinave.

Siç informuan nga Qeveria, zbatimi i plotë i projektit dhe vënia në punë e konceptit të ri pritet të përfundojë brenda dy viteve, pra në vitin 2027.

Ky projekt realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Realizimi financiar i projektit është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me kredi shtetërore deri në 55 milionë euro për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu, në realizimin financiar të të gjithë projektit është përfshirë edhe një grant nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) prej 9 milionë franga (CHF), një grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) nga e cila Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 23.8 milionë euro, si dhe një grant nga Qeveria Suedeze përmes SIDA me 0.7 milionë euro.

Kujtojmë se tenderi për ndërtimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar. Ndërsa sipas planifikimeve pritet që deri në vitin 2027 këto deponi të jenë të kompletuara dhe në vihen në funksion.

Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo