Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe mendoj se po përparon shumë mirë – vlerësoi kryeministri kroat Andrej Plenkoviq gjatë vizitës së sotme në vend.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për media në Ohër me kryeministrin Hristijan Mickoski, ai theksoi se çështja e vetme e hapur për momentin janë marrëdhëniet me Bullgarinë.
“Bullgaria pati zgjedhje. Kemi president të vjetër dhe kryeministër të ri, zotin Radev, prandaj presim kontaktet dhe hapat e parë që do t’i ndërmerrni në atë nivel. Po e ndjekim dialogun që keni zhvilluar në nivel ministror dhe do të përpiqemi t’ju ndihmojmë që të tejkalohen pengesat që ekzistojnë në atë proces”, deklaroi Plenkoviq.
Duke komentuar non-paperin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për ndryshimet e planifikuara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Plenkoviq tha se bëhet fjalë për një letër të pritshme, e cila para së gjithash ka të bëjë me Ukrainën, duke shtuar se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për disa vende dhe ngadalësim për të tjerat.
“Sa i përket letrës së kancelarit Merz, për mua ajo nuk është e papritur. Është rezultat i reflektimeve shumëmujore që kanë qenë prej kohësh të pranishme në Berlin. Për këtë kemi biseduar edhe në samitin në Zagreb, ku ishte e qartë se pritjet në atë letër lidhen para së gjithash me perspektivën evropiane të Ukrainës. Nuk mund të injorohet ajo që Ukraina ka përjetuar, sidomos në kontekstin e negociatave paqësore të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nënkuptojnë anëtarësim të plotë”, theksoi Plenkoviq.
Sipas tij, është plotësisht e qartë se ekziston vullnet pozitiv politik nga kancelari Merz. Ai rikujtoi se këtë Merz e kishte artikuluar qartë edhe në samitin në Qipro para një muaji, ku ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke kërkuar dërgimin e sinjaleve konkrete politike për mbështetje ndaj Ukrainës për anëtarësim të përshtatur në BE.
“Në atë letër përmenden edhe vende të tjera, përkatësisht rajoni i Evropës Juglindore, për të cilin gjithashtu duhet të gjendet një zgjidhje. Qëndrimi i Kroacisë ka qenë gjithmonë shumë i qartë. Nëse heqim dorë nga koncepti i të ashtuquajturave merita individuale për secilin shtet veçmas, nëse krijohen rrugë të shkurtra për disa ose nëse perspektiva e anëtarësimit – në këtë rast kryesisht për Ukrainën – shndërrohet në diçka që më shumë i ngjan statusit të vendeve me marrëveshje ekonomike evropiane, atëherë duhet të shohim se si kjo ndikon edhe tek të tjerët. Pra, nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për disa dhe ngadalësim për të tjerët”, tha ai.
Pozicioni i dytë i Kroacisë, sipas Plenkoviqit, është se ekziston dallim i madh në kapacitetin absorbues të Ukrainës krahasuar me shtetet e tjera kandidate.
“Të gjitha vendet e tjera janë më të vogla, si për nga numri i popullsisë, ashtu edhe për nga kompleksiteti i ndikimit në implikimet buxhetore të Bashkimit Evropian dhe në politikat kryesore sektoriale, si bujqësia apo zhvillimi rajonal, përkatësisht politika e kohezionit. Prandaj kërkohet një zgjidhje specifike dhe për këtë do të diskutojmë javën e ardhshme, fillimisht në Mal të Zi, e më pas në mbledhjen e rregullt të Këshillit Evropian që do të mbahet në mesin e qershorit në Bruksel”, deklaroi Plenkoviq.