Organizata “Albanians for America” zhvilloi takime në Uashington për avancimin e çështjeve shqiptare

Delegacioni i organizatës “Albanians for America”, i kryesuar nga Doc Vranici dhe i përbërë nga Gino Mulliqi, Nick Mehmeti dhe Nino Rata, në bashkëpunim me partnerët në Uashington D.C., zhvilloi një seri takimesh të nivelit të lartë në Kongresin dhe Senatin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim forcimin e mbështetjes për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe diasporën shqiptaro-amerikane.

Gjatë agjendës treditore në Capitol Hill dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, delegacioni realizoi takime me senatorë, kongresmenë, këshilltarë për siguri kombëtare, drejtorë legjislativë dhe ekspertë të politikës së jashtme amerikane.

Delegacioni zhvilloi takime, ndër të tjera, me Christopher Landau, si dhe me përfaqësues të zyrave të Senatorit Ted Cruz, Senatorit Andy Kim, kongresmenëve Brendan Boyle, Dina Titus, Suhas Subramanyam, Ashley Hinson dhe Jim Himes, si dhe me përfaqësues të Atlantic Council dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat e sigurisë rajonale, ndikimi rus dhe kinez në rajon, si dhe rëndësia strategjike e forcimit të partneritetit ndërmjet SHBA-ve dhe vendeve shqiptare.

Delegacioni prezantoi prioritetet kryesore të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kërkoi mbështetje për tri iniciativa të rëndësishme në Kongresin Amerikan: mbështetjen për integrimin e Kosovës në NATO, vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në kuadër të KFOR-it në Kosovë, si dhe adresimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë fushatën sistematike të autoriteteve serbe për pasivizimin e adresave.

Po ashtu, gjatë takimeve u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, përfshirë tensionet shoqërore dhe protestat studentore, si dhe nevojën për zgjidhje demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Delegacioni theksoi se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të njihen dhe të trajtohen në frymën e një partneriteti të barabartë shtetformues.
Në takimet me zyrtarët amerikanë u theksua rëndësia e ruajtjes së stabilitetit në rajon, mbështetja për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe nevoja për angazhim më të madh amerikan përballë sfidave gjeopolitike në Ballkan.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe forcimit të Congressional Albanian Issues Caucus dhe zgjerimit të mbështetjes bipartizane për çështjet shqiptare në Kongresin Amerikan.
AFA ritheksoi përkushtimin e saj për të qenë zë aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington dhe për t’i avancuar marrëdhëniet strategjike ndërmjet shqiptarëve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo