Miteva: Kultura, arti dhe shprehja bashkëkohore kombëtare, pjesë e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit maqedonas
Këtë vit shënojmë 35 vjetorin e pavarësisë së shtetit maqedonas. Një jubile që paraqet një moment historik, i cili na obligon me dinjitet, vizion, por edhe përgjegjësi ta rrëfejmë historinë e shtetit përmes kulturës, artit dhe shprehjes bashkëkohore kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, vlerësojmë se këtij jubileu të madh shtetëror i nevojitet edhe një projekt i madh, reprezentativ dhe me rëndësi afatgjate. Një projekt që për ne dhe për të gjithë shtetin nuk do të jetë vetëm një ngjarje, por një manifestim kulturor kombëtar i nivelit më të lartë, me ambicie për të lënë vlerë të qëndrueshme dhe gjurmë të fuqishme në historinë kulturore të Maqedonisë.
Qëllimi ynë është që ky shënim të ketë edhe peshë shtetërore, qasje bashkëkohore kulturore dhe produksioni, por edhe njohje ndërkombëtare. Të krijojmë një koncept që do ta paraqesë Maqedoninë si shtet që di ta shënojë me dinjitet rrugëtimin e vet, por edhe ta dëshmojë vetëbesimin e vet kulturor para opinionit në vend dhe atij ndërkombëtar.
Veçanërisht e rëndësishme është se projekti nuk do të përqendrohet vetëm në një vend apo vetëm në një ngjarje, por ideja e tij është decentralizimi dhe përfshirja. Kultura të arrijë te të gjithë qytetarët, në më shumë qytete, përmes formave të ndryshme dhe shprehjeve të ndryshme artistike.
Kemi paraparë një strukturë programore të ndarë në disa segmente. Në periudhën nga korriku deri në shtator janë planifikuar më shumë ngjarje, por do të më lejoni që për këtë, së bashku me “AVALON Production”, t’i paralajmërojmë ngjarjet në mënyrë etapike. Sot jemi këtu për ta paralajmëruar ngjarjen qendrore, ngjarjen e madhe për 8 Shtatorin.
Besojmë se si Maqedoni kemi kapacitet të krijojmë ngjarje me vlerë serioze produksioni, me emocion të fortë, por edhe me mesazh kulturor që vërtet do të mbetet i kujtuar edhe jashtë kufijve tanë.
Kjo është përpjekja jonë për të lënë gjurmë për gjeneratat që vijnë.