Mickoski: Marrëveshja për bashkëpunim strategjik me Kroacinë paraqet partneritet afatgjatë për thellimin e marrëdhënieve në fushat që janë

I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kroacisë, mik i dashur Andrej Plenkoviq,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni fillimisht t’i dëshiroj mirëseardhje të përzemërt kryeministrit Andrej Plenkoviq dhe delegacionit kroat.

Vizita e sotme ka një rëndësi të veçantë për dy shtetet tona, sepse ajo nuk paraqet vetëm një takim diplomatik ndërmjet dy qeverive, por konfirmim të një miqësie që është ndërtuar me vite, të marrëdhënieve të bazuara në respekt të ndërsjellë, mirëkuptim, bashkëpunim dhe mbështetje të sinqertë.

Republika e Kroacisë për ne është një partner i afërt, vend mik dhe aleat në NATO. Një shtet me të cilin ndajmë shumë interesa të përbashkëta, sfida të ngjashme rajonale, por edhe vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt, të zhvilluar dhe evropian.

Me kryeministrin Plenkoviq sot zhvilluam një bisedë jashtëzakonisht të hapur, konstruktive dhe miqësore për shumë çështje me interes të përbashkët.

Biseduam për bashkëpunimin bilateral, marrëdhëniet ekonomike, investimet, lidhjen infrastrukturore, energjetikën, integrimet evropiane, sigurinë rajonale, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike që ndikojnë në të gjithë hapësirën evropiane.

Jemi veçanërisht të kënaqur që sot po e ngremë bashkëpunimin tonë në një nivel edhe më të lartë përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim strategjik ndërmjet dy qeverive.

Kjo marrëveshje është më shumë se një akt diplomatik.

Ajo paraqet një kornizë për partneritet afatgjatë dhe një përcaktim të qartë politik për thellimin e marrëdhënieve tona në fusha që janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e të dy shteteve.

Bashkëpunimi ynë strategjik do të bazohet në parimet e respektit të ndërsjellë, respektimit të plotë të sovranitetit, të drejtës ndërkombëtare dhe interesave të përbashkëta të qytetarëve tanë.

Në kushte të sfidave të reja globale, paqëndrueshmërisë, rreziqeve të sigurisë dhe transformimeve ekonomike, sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që shtetet që ndajnë të njëjtat vlera të ndërtojnë partneritete më të forta.

Pikërisht për këtë arsye, marrëveshja që po e nënshkruajmë sot krijon mundësi për bashkëpunim edhe më intensiv në disa sektorë strategjikë.

Do të punojmë për zhvillimin e iniciativave dhe projekteve konkrete në transport, energjetikë, teknologji informative, industri, prodhimtari, shëndetësi, arsim, siguri publike, mbrojtje civile, mbrojtje, siguri kibernetike dhe menaxhim të kufijve.

Veçanërisht e rëndësishme është që marrëveshja hap hapësirë për lidhje më të thellë ndërmjet institucioneve, kompanive, investitorëve, komunitetit akademik, sektorit civil dhe komuniteteve të ekspertëve të dyja vendet.

Ne dëshirojmë që ky bashkëpunim të mos mbetet vetëm në nivel të deklaratave politike.

Duam që ai të sjellë rezultate reale, investime të reja, më shumë mundësi ekonomike, vende të reja pune, përgatitje më të madhe institucionale dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.

Një nga temat më të rëndësishme të bisedimeve tona ishte integrimi evropian.

Kroacia është një vend që me sukses e kaloi rrugën nga kandidat në anëtare e plotfuqishme e Bashkimit Evropian, edhe pse atë rrugë filluam ta ecim së bashku. Pikërisht për këtë arsye, përvoja kroate ka peshë dhe rëndësi të veçantë për ne.

Për ne, integrimi evropian nuk është vetëm një qëllim i politikës së jashtme.

Ai është proces i pjekurisë institucionale, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, modernizimit dhe krijimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët tanë.

Prandaj e vlerësojmë mbështetjen që Kroacia vazhdimisht ia jep perspektivës sonë evropiane.

Rruga jonë drejt BE-së fatkeqësisht është e mbushur me bllokada joparimore, për shkak të të cilave vihet në pikëpyetje integriteti i vetë procesit, por ne duam të besojmë në Evropën e vlerave, Evropën e parimeve, Evropën që njeh reformat, përkushtimin dhe rezultatet.

Sot biseduam edhe për thellimin e bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik, një fushë që po bëhet një nga çështjet strategjike më të rëndësishme të botës moderne.

Energjetika prej kohësh nuk është vetëm çështje ekonomike. Ajo është çështje e sigurisë kombëtare, qëndrueshmërisë, konkurrueshmërisë dhe zhvillimit afatgjatë.

Pikërisht për këtë arsye rëndësi të veçantë ka Memorandumi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sektorin energjetik që sot po nënshkruhet ndërmjet ministrive tona përkatëse.

Me këtë memorandum krijojmë një kornizë për avancimin e bashkëpunimit të mundshëm në disa fusha kyçe.

Në forcimin e sigurisë energjetike dhe interkonektorëve rajonal.

Njëkohësisht, si aleatë të NATO-s, biseduam edhe për sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe rajoni.

Në kohë pasigurie, konfliktesh ushtarake, kërcënimesh kibernetike, presionesh të migrimi dhe rreziqesh hibride, nevojiten partneritete të forta, koordinim dhe përgjigje të përbashkëta.

Mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të stabilitetit rajonal, sigurisë euroatlantike dhe paqes.

Më lejoni në fund t’i shpreh falënderim të sinqertë kryeministrit Plenkoviq.

Ju faleminderit për miqësinë, mbështetjen, dialogun konstruktiv dhe gatishmërinë e qartë për t’i ngritur marrëdhëniet tona reciproke në një nivel edhe më të lartë.

Jam i bindur se marrëveshjet dhe memorandumet e sotme nuk do të mbeten vetëm dokumente të nënshkruara në letër.

Ato duhet të bëhen shtytës i një etape të re bashkëpunimi, politikash konkrete, partneriteteve të reja dhe rezultateve të dukshme për popujt tanë.

Mbetemi të përkushtuar në ndërtimin të partneriteteve të forta, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe politikës së dialogut, bashkëpunimit dhe përparimit të përbashkët.

Sepse besojmë se e ardhmja nuk ndërtohet në izolim, por përmes partneriteteve, besimit dhe vizionit të përbashkët.

I nderuar kryeministër Plenkoviq, mirë se erdhët në Ohër.

Faleminderit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo