Magjia e Ismail Ismailit: Shkëndija U16 shpallet kampione!

Skuadra U16 e KF Shkëndija ka shkruar historinë, duke u shpallur edhe zyrtarisht kampione pas fitores së pastër 3:0 ndaj New Star. Një sezon i jashtëzakonshëm i kuqezinjve të rinj merr epilogun e merituar – titullin kampion! informon Tetovasot

Nën drejtimin e trajnerit Ismail Ismaili, Shkëndija U16 ka dominuar kampionatin nga fillimi deri në fund, duke imponuar një lojë sulmuese, të bukur dhe efikase që ka bërë diferencën ndaj çdo kundërshtari. Me ritëm të lartë, organizim perfekt dhe mentalitet fitues, kjo gjeneratë ka treguar se është e ndërtuar për suksese të mëdha.

Ndeshja vendimtare ndaj New Star ishte një pasqyrë e gjithë sezonit: kontroll total i lojës, raste të shumta dhe realizim i pastër për një fitore bindëse 3:0. Futbollistët e rinj nuk lanë asnjë dilemë për superioritetin e tyre, duke e vulosur titullin me stil kampioni.

Ky sukses nuk është rastësi. Ai është rezultat i një pune të përkushtuar, disipline dhe filozofie të qartë loje që trajneri Ismaili ka instaluar gjatë gjithë sezonit. Shkëndija jo vetëm që ka fituar, por ka bindur me paraqitje të nivelit të lartë dhe futboll modern.

Deklarata e trajnerit Ismail Ismaili:
“Ky është një moment krenarie për të gjithë ne. Këta djem kanë punuar jashtëzakonisht shumë dhe e kanë merituar plotësisht këtë titull. Që nga dita e parë kemi besuar në stilin tonë të lojës , futboll sulmues, disiplinë taktike dhe karakter të fortë. Nuk kemi devijuar asnjëherë nga kjo rrugë dhe sot po e shohim shpërblimin.

Jam shumë i lumtur për mënyrën se si e fituam kampionatin ,me dominim, me lojë të bukur dhe me mentalitet kampioni. Kjo është vetëm fillimi për këta futbollistë. Shkëndija ka një të ardhme të ndritur dhe këta djem janë dëshmia më e mirë për këtë.”

Me këtë titull, Shkëndija U16 konfirmon edhe një herë se mbetet një nga akademitë më të forta në vend, duke prodhuar talente që premtojnë shumë për të ardhmen e klubit dhe futbollit në përgjithësi.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo