Kryeministri indian thirrje urgjente qytetarëve: Kurseni karburantin, anuloni dasmat jashtë vendit dhe punoni nga shtëpia
Kryeministri indian u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë karburantin sa më shumë që të jetë e mundur, të heqin dorë nga dasmat jashtë vendit dhe të punojnë nga shtëpia, raporton BBC. Këto rekomandime vijnë si rezultat direkt i krizës energjetike të shkaktuar nga lufta me Iranin, e cila po ndikon fuqishëm në shtetin më të populluar në botë.
”Duhet të kufizojmë konsumin e benzinës dhe dizelit. Në qytetet që kanë metro, duhet të përcaktohemi për atë formë transporti. Nëse vërtet duhet të përdorim makinën, atëherë duhet ta ndajmë transportin me të tjerët”, tha Modi, duke u bërë thirrje edhe fermerëve që të përgjysmojnë përdorimin e plehrave artificiale.
Analistët e përshkruan thirrjen e Modit, të bërë në një eveniment publik në qytetin jugor Hajderabad, si “më drastiken deri më tani”.
”Patriotizmi nuk është vetëm gatishmëria për të sakrifikuar jetën në kufi. Në kohë si këto, kjo do të thotë të jetosh me përgjegjësi dhe të përmbushësh detyrat ndaj kombit në jetën e përditshme”, deklaroi Modi.
Ai shtoi se në situatën aktuale është vendimtare të ruhen rezervat valutore të vendit, prandaj u bëri thirrje indianëve që të mos blejnë bizhuteri ari dhe të shmangin udhëtimet jashtë vendit.
”Paratë e dasmave dhe pushimeve jashtë vendit të mbeten në shtëpi”
Kryeministri vuri theks të veçantë në zakonet e klasës së mesme, e kjo e fundit po organizon gjithnjë e më shumë festime luksoze dhe pushime jashtë vendit.
”Mes klasës së mesme ekziston një kulturë në rritje e mbajtjes së dasmave dhe shkuarjes në pushime jashtë vendit. Duhet t’i shtyjmë udhëtimet e tilla për të paktën një vit”, theksoi Modi.
Vitet e fundit, India është bërë trend për mbajtjen e dasmave jashtë vendit, ndërsa vendpushimet dhe hotelet luksoze në Tajlandë janë ndër opsionet më të njohura. Qeveria tani kërkon nga qytetarët “t’i mbajnë ato para në vend për të ndihmuar në tejkalimin e shokut ekonomik të shkaktuar nga ndërprerjet në furnizimin me energji”.
India, shtëpi e më shumë se 1,4 miliardë njerëzve, është një nga vendet më të goditura nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Irani. Arsyeja qëndron në varësinë e madhe të vendit nga importi i naftës dhe gazit nga Lindja e Mesme, të cilat tani janë pothuajse plotësisht të paarritshme ose drastikisht më të shtrenjta. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka përshkruar situatën si “çrregullimi më i madh i furnizimit në histori”.
Qeveria më herët ka përdorur autorizime të jashtëzakonshme për të riorientuar karburantin nga përdoruesit industrialë drejt familjeve, për të siguruar rezervat bazë.
Thirrja e Modit drejtuar qytetarëve shihet si një përpjekje për të shmangur kolapsin e plotë të sistemit energjetik, pasi konflikti në Gjirin Persik vazhdon pa shenja qetësimi.