Klinika Juridike e Universitetit të Tetovës e realizoi me sukses gjykimin e simuluar “The Great Gatsby”
Klinika Juridike e Universitetit të Tetovës, më 22 maj 2026, organizoi një gjykim të simuluar të frymëzuar nga novela klasike amerikane e autorit F. Scott Fitzgerald, “The Great Gatsby – Gatsby i Madh”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Klinikës Juridike dhe solli para studentëve një ndërthurje të veçantë të së drejtës, letërsisë dhe kinematografisë amerikane.
Rasti i trajtuar në këtë gjykim të simuluar kishte të bënte me një padi civile për vdekje të padrejtë, përmes së cilës pala paditëse kërkonte kompensim të dëmit. Procedura u zhvillua mbi bazën e legjislacionit të shtetit të New York-ut, ndërsa dy ekipe studentësh u vendosën në role kundërshtare përballë një trupi gjykues të përbërë nga dy gjykatës.
Projekti u realizua nga koordinatorja e Klinikës Juridike, profesoresha Njomza Selimi – Osmani, në bashkëpunim me profesorin nga Washington and Lee University, James Lofton, avokatin Ibraim Bajrami dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit në Shkup, Betim Jahja. Në cilësinë e gjykatëses porote mori pjesë edhe profesoresha Michelle Morgan, e cila për dy vite me radhë ka zhvilluar programin e saj Fullbright Scholar në Universitetin e Tetovës.
Pas disa javësh përgatitjeje intensive dhe mentorimi nga profesorët dhe ekspertët juridikë, studentët pjesëmarrës demonstruan nivel të lartë profesionalizmi në argumentimin ligjor, paraqitjen e provave, si dhe në pyetjet direkte dhe të kryqëzuara. Përmes teorive të tyre të rastit, ata mbrojtën me kompetencë interesat e palëve para trupit gjykues të përbërë nga gjykatësi Betim Jahja dhe gjykatësja porote, Michelle Morgan.
Në përmbyllje të aktivitetit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i ndau certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike profesorit James Lofton për kontributin e tij në Universitetin e Tetovës. Gjithashtu, profesoresha Njomza Selimi – Osmani ndau dhurata simbolike për profesoreshën Michelle Morgan dhe për përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup, Gazmend Iljazi, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Aktiviteti u realizua në prag të shënimit të 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të iniciativës kombëtare amerikane “Freedom 250”.







