Janevska: Po rrisim mjetet për kërkime, me rregullore të qartë dhe kornizë të plotë e mbështesim shkencën





Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë është që
vazhdimisht të rrisim mjetet për veprimtarinë kërkimore-shkencore, ta rregullojmë këtë fushë
me rregulla dhe standarde të qarta përmes Ligjit të ri për Veprimtari Kërkimore-Shkencore,
ndërsa me Programin e ri Kombëtar për veprimtari kërkimore-shkencore të rregullojmë
shpërndarjen e mjeteve dhe të lidhim institucionet, hulumtuesit dhe industrinë, tha ministrja e
Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti
i Letërsisë Maqedonase pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Instituti, gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare, realizoi projektin shkencor-kërkimor “Trauma
në letërsi”, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të
ndarjes së mjeteve për financimin e projekteve shkencore-kërkimore të fakulteteve shtetërore,
instituteve shkencore dhe ASHAM-i në vitin 2025.
Prioritet është krijimi i kornizës së plotë për mbështetjen e shkencës, me laboratorë
bashkëkohorë, fonde për inovacion, programe për hulumtues të rinj dhe rregullore të qarta që
garantojnë transparencë, përgjegjësi dhe sukses.
“Konkretisht, buxhetin për shkencën nga viti 2024 e kemi rritur dyfish në vitin 2026 dhe tani
kemi mbi 770 milionë denarë, prej të cilave pjesa më e madhe është e dedikuar për
financimin e projekteve shkencore-kërkimore me interes kombëtar. Kemi përgatitur
Propozim-Ligj të ri për Veprimtari Kërkimore – Shkencore , i cili së bashku me propozim
ligjet për arsimin e lartë dhe për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, së shpejti do të gjendet
para deputetëve. Bazat Web of Science dhe Scopus janë të qasshme falas për të gjithë
shkencëtarët dhe hulumtuesit nga institucionet publike të arsimit të lartë dhe ato shkencore,
ndërsa programet ndërkombëtare për shkencë, si Horizont, mbeten të hapura për vendin
tonë”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.
Janevska theksoi se investimi në shkencë përfshin edhe krijimin e kushteve për zhvillimin e
brezit të ri shkencor, përmes trajnimeve dhe programeve për zhvillim profesional të
komunitetit të mësimdhënësve, në mënyrë që të mund të ndryshohet mënyra se si të rinjtë e
përjetojnë shkencën.

Me konferencën shkencore u shënua edhe jubileu – 45 vjetori i themelimit të Institutit të
Letërsisë Maqedonase.

Janevska: Po rrisim mjetet për kërkime, me rregullore të qartë dhe kornizë të plotë e mbështesim shkencën

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo