Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se në 24 orët e fundit ka lejuar kalimin e 33 anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, transmeton agjencia shtetërore e lajmeve Fars.
Sipas njoftimit, nëpër ngushticë kanë kaluar tankera nafte, anije kontejnerësh dhe anije të tjera tregtare, pasi kanë marrë miratimin, koordinimin dhe mbrojtjen e sigurisë nga marina e Gardës Revolucionare të Iranit.
Ky informacion vjen pasi një burim i lartë iranian deklaroi për CNN se rruga kryesore detare është rihapur, por se për kalim të sigurt kërkohet koordinim me autoritetet iraniane.
CNN thekson se nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Iranit, por të dhënat nga shërbimi „MarineTraffic“ tregojnë se disa anije vërtet kanë kaluar nëpër ngushticë, megjithëse trafiku është ende dukshëm më i ulët se në periudhën para luftës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje se Ngushtica e Hormuzit „do të jetë e hapur“ si pjesë e marrëveshjes midis Uashingtonit dhe Teheranit, pa saktësuar nëse lundrimi do të normalizohet plotësisht.
Ndërkohë, agjencia iraniane Tasnim njoftoi se ngushtica „nuk do të kthehet në gjendjen e para luftës“ dhe se Teherani do të vazhdojë të ushtrojë sovranitetin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit.
Televizioni shtetëror iranian IRIB pretendon se aktualisht rreth 240 anije po presin lejen për të hyrë në ngushticë.