Intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Ekonomik të UT-së dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Stambollit





Stafi akademik i Fakultetit Ekonomik i Universitetit të Tetovës, realizoi një vizitë zyrtare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Stambollit. Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneriteteve ndëruniversitare dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Gjatë takimeve zyrtare ndërmjet përfaqësuesve të dy institucioneve, u zhvilluan diskutime të frytshme mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit përmes realizimit të projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, si dhe organizimit të konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera shkencore në nivel ndërkombëtar. Fokus i veçantë iu kushtua iniciativave që lidhen me ekonominë qarkore, inovacionin, sipërmarrjen, transformimet ekonomike globale dhe sfidat e tregut modern të punës.
Në kuadër të diskutimeve, palët trajtuan edhe mundësitë për harmonizimin dhe avancimin e programeve studimore në fushën e ekonomisë dhe biznesit, me synim përshtatjen e tyre ndaj standardeve bashkëkohore akademike dhe kërkesave dinamike të tregut ndërkombëtar të punës. U vlerësua se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i përvojave akademike paraqesin elemente kyçe në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale e kërkimore.
Në përfundim të vizitës, palët shprehën gatishmërinë për konkretizimin e bashkëpunimit përmes nënshkrimit të marrëveshjeve institucionale, të cilat pritet të hapin perspektiva të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe zgjerimin e aktiviteteve ndërkombëtare në të ardhmen.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo