Nga Arian Galdini
Lutja nuk nis kur njeriu shqipton fjalë të shenjta.
Nis kur ai pranon të mos fshihet më pas tyre.
Ky dallim është i rëndë, sepse lutja është një nga vendet më të mëdha të mëshirës.
Ajo nuk i përket vetëm të pastërtit, as të fortit, as njeriut që ka rregulluar jetën përpara se të hyjë në praninë e Zotit.
Mëkatari mund të lutet.
I rëni mund të lutet.
Ai që ka bërë keq mund të lutet.
Njeriu që nuk di më ku të shkojë mund të lutet.
Pikërisht aty lutja merr madhështinë e saj, ajo është vendi ku njeriu i papastër nuk dënohet të mbetet i tillë.
Por lutja nuk është strehë për të mbetur po ai.
Nëse njeriu hyn në lutje vetëm për të marrë qetësi mbi padrejtësinë që nuk do ta lëshojë, ai nuk ka kërkuar kthim.
Ka kërkuar mbulim.
Nëse njeriu që mban pushtet, lideri, politikani, hyn në lutje vetëm për të marrë dritë mbi emrin e vet, pa pranuar errësirën e sjelljes së vet, ai nuk ka kërkuar Zotin.
Ka kërkuar dëshmitarë.
Këtu ndahen altari dhe alibia.
Altari është vendi ku njeriu dorëzon vetëjustifikimin.
Alibia është mjeti me të cilin njeriu përpiqet të vazhdojë pa ndryshuar.
Altari e zhvesh. Alibia e mbulon.
Altari e çon njeriun te e vërteta.
Alibia e mban në të njëjtin vend, me një gjuhë më të butë.
Njeriu nuk ka vetëm mëkate.
Ka edhe mënyra të holla për t’i mbrojtur ato nga emri i tyre.
Di t’i quajë dobësi, nevojë, rrethanë, fat, detyrë, ekuilibër, përgjegjësi, politikë, paqe, maturi.
Di ta bëjë veten më të durueshëm përpara vetes.
Di të kërkojë fjalë që ia ulin peshën asaj që nuk do ta lëshojë.
Prandaj altari është i frikshëm, aty njeriu nuk humb vetëm krenarinë para Zotit.
Humb edhe fjalorin me të cilin e ka mbrojtur krenarinë.
Në Ungjill, demonët e njohin autoritetin e Jezusit.
Ata përgjërohen, tremben, kërkojnë të mos ndëshkohen para kohe.
Por nuk pendohen.
Njohja e së shenjtës nuk është ende kthim.
Frika nga dënimi nuk është ende dashuri për të mirën.
Një qenie mund të dridhet para autoritetit hyjnor dhe prapë të mos heqë dorë nga errësira që mban.
Në Kuran, Iblisi i drejtohet Zotit dhe kërkon afat.
Nuk kërkon falje për t’u kthyer.
Nuk kërkon zemër tjetër.
Nuk kërkon pastrim. Kërkon kohë.
Dhe këtu dallimi bëhet i pamëshirshëm, kërkesa nuk është gjithmonë pendesë.
Djalli kërkon kohë.
Mëkatari kërkon mëshirë.
I penduari pranon të ndryshojë.
Kjo nuk është fjali për të gjykuar njerëz nga jashtë.
Është thikë që pret brenda çdo njeriu.
Edhe te ai që nuk ka pushtet.
Edhe te ai që e ka.
Sepse rreziku i lutjes së rreme nuk është se mëkatari guxon të lutet.
Kjo do ta prishte vetë kuptimin e mëshirës.
Rreziku fillon kur lutja përdoret për të mos u penduar, kur fjala e shenjtë bëhet dekor mbi një zemër që nuk do të kthehet, kur njeriu merr gjuhën e përuljes, por ruan instinktin e sundimit.
Kur njeriu i zakonshëm lutet, drama zhvillohet në fshehtësinë e ndërgjegjes së tij.
Kur njeriu që mban pushtet, lideri a politikani lutet publikisht, lutja e tij prek edhe Republikën.
Sepse pushteti nuk mban vetëm fatin e vet.
Mban ligjin, qytetarin, të dobëtin, kundërshtarin, fjalën publike, institucionin, pasurinë e përbashkët, frikën që përhap ose lirinë që lejon.
Prandaj pyetja nuk është nëse njeriu që mban pushtet, lideri a politikani, ka të drejtë të lutet.
Ka.
Pyetja është çfarë dorëzon kur lutet.
Nëse del nga lutja dhe kthehet te e njëjta dorë mbi të njëjtën padrejtësi, gjunjëzimi ka qenë pamje, jo kthim.
Nëse del prej saj më i zoti për të folur për moralin, por jo më i gatshëm për t’iu nënshtruar drejtësisë, lutja nuk ka prekur ende vendin ku pushteti i tij bëhet i rrezikshëm.
Nëse del me fytyrë më të qetë, por me të njëjtën uri për kontroll, atëherë altari është përdorur si alibi.
Njeriu ngrihet nga lutja dhe përpara tij nuk është më salla.
Është vendimi që do të marrë nesër.
Është letra që do të firmosë.
Është e vërteta që do ta lejojë ose do ta pengojë.
Është njeriu i dobët që do ta dëgjojë ose do ta kalojë si bezdi.
Është kundërshtari që do ta trajtojë si armik ose si njeri.
Është ligji që do ta nderojë vetëm kur i shërben, ose do t’i nënshtrohet edhe kur e kufizon.
Aty shihet nëse ishte altar apo alibi.
Altari nuk e pyet pushtetin sa bukur u përkul.
E pyet çfarë do të lëshojë kur të ngrihet.
Republika nuk pastrohet nga ceremonialet. Nuk shërohet sepse pushteti, pushtetari, lideri, politikani, përmend Zotin.
Nuk bëhet më e drejtë sepse njerëzit e fortë shfaqen për pak çaste me fjalë të përulura.
Lutja publike, nëse është e vërtetë, duhet të lërë gjurmë në mënyrën si pushteti sillet me të vërtetën.
Pas lutjes, drejtësia duhet të jetë më pak e penguar.
Fjala duhet të jetë më pak e trembur.
Qytetari duhet të jetë më pak i vogël.
Ligji duhet të jetë më pak vegël dhe më shumë kufi.
Nëse asgjë nga këto nuk lëviz, atëherë lutja nuk ka hyrë ende në Republikë.
Ka mbetur në fotografi, në protokoll, në zë, në solemnitetin që e bën pushtetin të duket për një çast më i butë, pa e bërë më të drejtë.
Lutja nuk duhet të bëhet parfum mbi një plagë që nuk pranon shërim.
Nuk duhet të bëhet veshje e bardhë mbi një dorë që vazhdon të marrë padrejtësisht.
Nuk duhet të bëhet mënyrë që pushteti të marrë prej shenjtërisë një shkëlqim që nuk e ka fituar me pendesë.
Besimi nuk është stoli e jetës publike.
Është gjykim mbi të.
Jo gjykim i njeriut nga njeriu, sepse njeriu shpesh gjykon me mllef, me interes, me verbëri.
Por gjykim i njeriut nga e vërteta që ai thotë se nderon.
Dhe e vërteta nuk i shërben pushtetit, pushtetarit, liderit, politikanit, si dritë skene.
E vërteta i afrohet si zjarr.
Ajo nuk pyet çfarë roli luan njeriu në publik.
Pyet çfarë do të lëshojë nga vetja që të mos mbetet skllav i saj.
Në zemër të besimit të krishterë nuk qëndron njeriu që përdor Zotin për të forcuar emrin e vet.
Qëndron njeriu që humb krenarinë përpara së vërtetës.
Jezusi nuk e bekon hipokrizinë pse ajo mban gjuhë fetare.
Ai e sheh njeriun që rreh gjoksin dhe kërkon mëshirë, jo atë që kërkon të dalë i larë para njerëzve pa u kthyer para Zotit.
Edhe në traditën islame, pendesa nuk është fjalë e thatë.
Ajo kërkon kthim, heqje dorë nga e keqja, vepër të drejtë, ndryshim të rrugës.
Mëshira nuk është licencë për të vazhduar errësirën.
Është thirrje për të dalë prej saj.
Prandaj lutja e vërtetë nuk i jep pushtetit dekor.
I kërkon dorëzim.
Nuk i jep mëkatit gjuhë të shenjtë.
I kërkon kthim.
Nuk i jep Republikës ceremoni.
I kërkon drejtësi.
Lutja publike është kaq e rëndë pikërisht sepse mund të jetë e bukur.
Mund të jetë e nevojshme.
Mund të jetë vend ku njerëz të ndryshëm kujtojnë se liria nuk nis nga forca, por nga përulja.
Por mund të bëhet edhe rrezik, nëse shndërrohet në skenë ku pushteti kërkon dritë pa pendesë, moral pa drejtësi, bekim pa kthim.
Lutja nuk është e rrezikshme kur mëkatari hyn në të për t’u kthyer.
Bëhet e rrezikshme kur pushteti hyn në të për të mbetur po ai.
Një shoqëri që e kupton këtë nuk përqesh lutjen.
Nuk e përjashton mëkatarin nga mëshira.
Nuk i mbyll njeriut udhën drejt Zotit.
Por nuk pranon që gjuha e shenjtë të përdoret si mbulesë për të mos ndryshuar.
Nuk pranon që një fjalë e përulur të kthehet në stemë të një jete arrogante.
Nuk pranon që Zoti të përmendet si dëshmitar i një pushteti që nuk do të dëshmohet nga e vërteta.
Në fund, pyetja nuk është kush ishte në sallë.
Pyetja është kush doli më i përulur.
Kush doli më i gatshëm të lëshojë padrejtësinë.
Kush doli më i frikësuar nga gënjeshtra e vetë. Kush doli më i kujdesshëm me njeriun e dobët.
Kush doli më pak i etur për ta përdorur Zotin si mburojë për emrin e vetë.
Altari nuk e shpëton njeriun nga e vërteta.
E çon tek ajo.
Vetëm alibia e lë të kthehet i pandryshuar.
Arian Galdini