Dimitrovski: Ndryshimet kushtetuese vetëm me garanci për identitetin dhe reciprocitet për maqedonasit në Bullgari
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë do të ndodhë vetëm pasi shteti të sigurojë garanci të forta që çështjet bilaterale nuk do të përdoren për veto të reja në rrugën eurointegruese.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jovanka Trençevska, Dimitrovski theksoi se kushtet kyçe të Qeverisë së re bazohen në dinjitet dhe parashikueshmëri të procesit.
Ai nënvizoi nevojën për një “dorë të shtrirë” nga Sofja, veçanërisht në raport me të drejtat e maqedonasve në Bullgari. Dimitrovski rikujtoi se ekzistojnë një sërë vendimesh të Gjykatës në Strasburg që, sipas tij, Bullgaria i injoron, ndërkohë që kërkon përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Duke folur për mospërputhjen statistikore, ai theksoi se kërkohen të drejta për një komunitet prej rreth 3.500 qytetarësh, ndërsa në anën tjetër nuk pranohet trajtim për pakicën maqedonase në Bullgari.
Zëvendësministri kritikoi edhe qeverinë e mëparshme, duke e akuzuar se ka pranuar që çështjet identitare dhe narrativi historik i Sofjes të bëhen pjesë e kornizës negociuese, pa reciprocitet dhe pa konsensus të gjerë kombëtar.
Sipas tij, aktiviteti intensiv diplomatik i Qeverisë së re ka gjetur mirëkuptim te partnerët evropianë, duke theksuar se në shumë kryeqendra tashmë kuptohet nevoja që Maqedonia e Veriut të ketë një rrugë të parashikueshme drejt Bashkimit Evropian, pa bllokada identitare dhe bilaterale.
Dimitrovski shtoi se për zgjidhjen e këtij problemi afatgjatë nevojitet dialog konstruktiv me qeverinë e re në Bullgari, si dhe konsensus i brendshëm politik. Ai bëri thirrje ndaj opozitës që të bashkohet rreth qëndrimit shtetëror dhe të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Në fund, ai theksoi se qëllimi është zhbllokimi i procesit eurointegrues në mënyrë dinjitoze, pa lejuar që çështjet historike dhe debatet identitare të pengojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve.