Deputeti Cekov braktis ZNAM-in dhe shumicën parlamentare

Deputeti Mile Cekov njoftoi sot se largohet nga ZNAM dhe se në të ardhmen do të veprojë si deputet i pavarur në Kuvend, duke theksuar se nuk është më pjesë e shumicës qeverisëse, shkruan gazeta KOHA.

Në deklaratën e tij publike, Cekov tha se në politikë kishte hyrë me qëllim për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve, por se ndryshimet e pritura nuk janë realizuar.

“Para dy vitesh u bëra deputet për të provuar t’i ndryshoj gjërat, për të kërkuar përgjegjësi për krimin dhe korrupsionin dhe për të luftuar për ndryshimin e sistemit, si dhe për të treguar se ka vend në politikë për njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Por, për fat të keq, këto ndryshime nuk po ndodhin”, tha Cekov.

Ai shtoi se vendimi i tij vjen si rezultat i gjendjes në vend, të lidhur me korrupsionin, drejtësinë selektive dhe jofunksionalitetin e institucioneve, si dhe sfidat socio-ekonomike me të cilat përballen qytetarët.

“Ky vendim im vjen sepse nuk pranoj të jetojmë në një shtet me korrupsion dhe kriminalitet, drejtësi selektive dhe institucione jofunksionale. Nuk pranoj që të rinjtë të largohen për shkak të sistemit, ndërsa punëtorët të jetojnë me pagën më të ulët në rajon. Nuk pranoj ajër të ndotur dhe mjedis të ndotur. Nuk pranoj një shtet që importon në vend që të prodhojë ushqim”, theksoi ai.

Në fjalimin e tij, ai iu referua edhe zgjidhjeve ligjore dhe politikave për të cilat nuk ka dhënë mbështetje, përfshirë ndryshimet që lidhen me lëndët minerale, duke theksuar se kundërshton hapjen e minierave të reja dhe dhënien e koncesioneve.

Sipas tij, ai mbetet i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të shtetit, por me mbrojtje të qartë të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës.

“Gjuha, identiteti dhe kultura janë themeli i ekzistencës sonë dhe ato nuk janë për negociim”, shtoi deputeti.

Cekov përmendi edhe aktivitetet e tij gjatë dy viteve të fundit si deputet, duke përfshirë iniciativa ligjore në fushën e bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit, projekteve infrastrukturore dhe masave për përmirësimin e standardit të jetesës.

“Gjatë dy viteve të fundit kam luftuar për fermerët, duke propozuar ligje konkrete – nga rritja e pragut për obligues të TVSH-së nga dy në katër milionë denarë, çmime të drejta blerëse, deri te paketa e masave antikrizë për mbështetje përmes subvencioneve për plehrat artificiale dhe naftën e gjelbër. Jam angazhuar për mbrojtjen e natyrës, duke propozuar që mali Bellasicë të shpallet zonë e mbrojtur, ndërsa për Liqenin e Dojranit kam kërkuar zgjidhje të përhershme për furnizim me ujë. Kam propozuar ndryshime në buxhet për ndërtimin e rrugës ekspres Gjevgjeli – Strumicë – Novo Sellë dhe jam angazhuar për standard më të mirë jetese, përfshirë rritjen e pagës minimale”, tha ai.

Në fund, ai theksoi se në politikë nuk ka hyrë për të ndryshuar veten, por për të ndryshuar politikën. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo