Delegacion nga Maqedonia e Veriut në vizitë studimore në Francë për avancimin e trajnimeve në administratën publike
Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Administratës Publike, Qendrës për Menaxhim me Ndryshime, Agjencisë për Administratë dhe Ministrisë së Transformimit Digjital ka realizuar një vizitë studimore në Paris të Francës, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për zhvillimin e sistemit të trajnimit të administratës publike informon Tetovasot.
Gjatë qëndrimit në Paris, delegacioni zhvilloi takime pune me përfaqësues të Drejtorisë së Administratës Publike të Francës (DGAFP), Institutit për Menaxhim Publik dhe Zhvillim Ekonomik (IGPDE) si dhe Drejtorisë për Çështje Digjitale (DINUM).
Në takimet e zhvilluara u prezantuan përvojat franceze në fushën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërministror, hartimit dhe zbatimit të politikave për trajnim dhe avancim profesional të nëpunësve shtetërorë, si dhe qasjet moderne për digjitalizimin e proceseve të mësimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore në sektorin publik.
Vëmendje e veçantë iu kushtua platformës MENTOR, sistemi kombëtar francez për trajnim elektronik të nëpunësve shtetërorë, ku u prezantuan përvojat lidhur me krijimin, menaxhimin dhe përdorimin e saj. Gjithashtu, u diskutuan trendet më të reja në zbatimin e teknologjive dhe mjeteve digjitale në proceset e trajnimit dhe ngritjes së vazhdueshme profesionale të administratës publike.
Kjo vizitë pune paraqet një mundësi të rëndësishme për transferimin e praktikave të suksesshme evropiane në zhvillimin e sistemit të trajnimit të nëpunësve administrativë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Vizita u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për themelimin e Akademisë për Avancim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë”, të cilin e zbaton Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Ndryshime, me mbështetjen e Ambasadës së Francës.Tetovasot




