Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar deklarata të forta ndaj Iranit teksa po nisej për një vizitë zyrtare në Kinë, ku pritet të zhvillojë bisedime me presidentin Xi Jinping lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme dhe luftën me Iranin.
Duke folur para gazetarëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se do të zhvillojë një “bisedë të gjatë” me liderin kinez, por theksoi se SHBA nuk ka nevojë për ndihmën e Pekinit për të kontrolluar situatën me Teheranin.
“Do të kem një bisedë të gjatë me Xi Jinping për Iranin. Kina është e përfshirë sepse blen shumë naftë iraniane dhe ka marrëdhënie të forta me ta. Por e vërteta është se ne e kemi Iranin shumë nën kontroll. Ata e dinë këtë dhe e dinë se nuk mund të luajnë me Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan theksoi se administrata e tij nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që Irani të pajiset me armë bërthamore.
“Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Kjo nuk do të ndodhë. Ose do të bëjnë gjënë e duhur dhe do të arrijmë një marrëveshje, ose ne do ta përfundojmë punën. Nuk kemi ndërmend të lejojmë një regjim si ai të ketë armën më të rrezikshme në botë”, u shpreh ai.
Trump ka përdorur vazhdimisht tone të ashpra ndaj Teheranit, duke paralajmëruar se SHBA është gati të “shkatërrojë” Iranin nëse nuk pranon kushtet amerikane për çështjen bërthamore dhe konfliktin rajonal.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për ekonominë dhe ndikimin e konfliktit tek qytetarët amerikanë.
“Nuk mendoj për gjendjen financiare të amerikanëve në këtë moment. Nuk po mendoj për tregjet apo për luhatjet e përkohshme. Mendoj vetëm për një gjë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Kjo është gjëja më e rëndësishme, më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, tha Trump.
I pyetur nëse po neglizhonte pasojat ekonomike të luftës, presidenti amerikan këmbënguli se siguria kombëtare është prioritet absolut.
“Edhe nëse tregu i aksioneve rritet ose bie pak, amerikanët do ta kuptojnë se çështja më e rëndësishme është siguria dhe ndalimi i Iranit. Nuk mund të lejojmë që një vend si Irani të ketë armë bërthamore. Kur kjo të përfundojë, çmimet e naftës do të bien shumë shpejt dhe tregjet do të stabilizohen”, deklaroi ai.
Takimi mes Trump dhe Xi Jinping do të ndiqet interes të madh ndërkombëtar, pasi Kina mbetet aleati më i rëndësishëm ekonomik i Iranit dhe blerësi kryesor i naftës iraniane.