Analisti i njohur shqiptar, Alfred Cako, duke komentuar në emisionin “Rrethi Katror” protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ka lëshuar një sërë deklaratash të forta, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Sipas tij, ekziston një armiqësi e madhe dhe e hershme kundër gjuhës shqipe nga figura të mëdha të historisë në epoka të ndryshme.
Për të mbështetur këtë tezë, Cako solli në vëmendje tri momente historike:
Viti 476 (Odoakri): Sipas Cakos, pushtuesi i madh që mposhti perandorin e fundit romak, Romulus Augustulin, pati si një ndër kërkesat e tij kryesore në Romë zhdukjen e ilirëve dhe të gjuhës së tyre nga administrata romake.
Viti 1453 (Sulltan Mehmet Fatihu): Cako deklaroi se pas pushtimit të Bizantit, në ditën e tretë të triumfit, Sulltan Mehmeti kërkoi që “të zhduken arbrit nga Bizanti” dhe shprehu vullnetin për të mos dëgjuar më gjuhën shqipe.
Shën Kozmai: Ai përmendi gjithashtu Shën Kozmain, i cili sipas tij, kur vinte në emër të Kishës Ortodokse për të konvertuar popullatën e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut (përpara se të vritej nga banorët vendas), predikonte me mbështetjen e Patrikanës së Fenertit dhe Perandorisë Osmane që të mos flitej gjuha shqipe.
Misteri i gjuhës shqipe: A ishte ajo “anglishtja” e kohëve të lashta?
Alfred Cako ngriti dyshime të mëdha mbi arsyen se pse kjo gjuhë ka qenë historikisht në shënjestër, duke hedhur një hipotezë të guximshme konspirative.
“Ka një mister të madh për të cilin unë dyshoj, ndonëse nuk jam plotësisht i bindur.
Dyshimi im është se gjuha shqipe, përpara Përmbytjes së Madhe, mund të ketë qenë një gjuhë ndërkombëtare, ashtu siç është anglishtja sot,” u shpreh Cako.
Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme të forcave të ndryshme historike bëhen për të zhdukur çdo lloj lidhjeje me atë epokë të lashtë.
Megjithatë, ai përfundoi duke thënë se gjuha shqipe po mbahet fort nga populli shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, si “një nga diamantet dhe perlat e kulturës shqiptare”.(INA)