Kryetari i Degës së Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj planit për shitjen e pronës publike në qytet, duke akuzuar shumicën komunale VMRO–VLEN për betonizim dhe tjetërsim të hapësirave publike në dëm të qytetarëve.
Sipas Rexhepit, në listën e pronave për “shitje” gjatë vitit 2026 është futur edhe hapësira e parkingut te Vero, për të cilën, sipas Planit Detal Urbanistik, ishte paraparë ndërtimi i një parkingu shumëkatësh që do të ndihmonte në lehtësimin e komunikacionit dhe mungesës së vendeve për parkim në Tetovë.
Ai ka krahasuar situatën me rastin e njohur si “Monopoli”, duke pretenduar se shumica në këshillin komunal, e udhëhequr nga VMRO–VLEN dhe kryetari aktual i komunës, po ndryshojnë planet urbanistike “brenda natës” për t’i hapur rrugë tjetërsimit të pronës publike, njofton TS.
“ Tetova po betonizohet pamëshirshëm. Qytetarët po mbeten pa hapësira publike. Prona e përbashkët po shitet. Kjo plaçkitje e organizuar e Tetovës do të ndalet dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, ka deklaruar Rexhepi.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga Komuna e Tetovë lidhur me këto akuza.