Ministri i Shëndetësisë dhe funksionar i lartë i VLEN-it, Azir Aliu, përmes një mesazhi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, u ndal te protestat e sotme studentore lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se zëri i të rinjve nuk duhet të trajtohet si dekor, as si mjet për agjenda të huaja, por si ndërgjegje publike që korrigjon politikën.
“Protestat e rinisë nuk janë dekor për tribuna, as pronë e askujt. Ato janë busulla morale e shoqërisë! Ata që për vite me radhë ia ngushtuan frymën rinisë, sot nuk mund t’ia marrin dritën zërit të saj”, shkruan Aliu.
Mesazhi vjen në një moment kur kërkesat studentore po rikthehen sërish në qendër të vëmendjes publike, ndërsa tema po merr edhe një dimension të theksuar politik.
Nga VLEN theksojnë se çështja duhet të marrë një zgjidhje sistemore, duke rikujtuar se BDI ka pasur mundësi për vite me radhë ta zgjidhë këtë çështje, ndërsa sot po përpiqet ta shfrytëzojë energjinë e protestave për pikë politike, në vend që ta përdorë si shtysë për një zgjidhje konkrete institucionale.