Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës dhe ndarjes së mjeteve nga Byroja për Zhvillim Rajonal, duke e cilësuar procesin si diskriminues dhe të padrejtë ndaj komunës që ai drejton.
Në një prononcim për TV Shenja, Abazi thotë se Studeniçani, ndonëse aplikoi me projekte konkrete dhe të rëndësishme infrastrukturore për qytetarët, nuk përfitoi asnjë denar, ndërsa komuna të tjera u mbështetën me miliona. Ai ngriti dyshime për ndikime politike në shpërndarjen e mjeteve publike, duke kërkuar transparencë, drejtësi dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat.
Ne konkuruam dhe aplikacionin e përgatitëm në përpikmëri mirëpo për fat të keq, si komunë ne nga gjithsej 56 projekte të cilat u pranuan nga Byroja për Zhvillim Rajonal afërsisht diku 150 milion ose saktësisht 140 milion denarë që u ndanë komunave, Komunës së Studeniçanit nuk ju pranua asnjë projekt. Nuk e di për cilat arsye nuk është pranuar mirëpo Komuna e Studeniçanit ngel tani dmth sepse edhe nga pushteti lokal që kishte një thirrje edhe nga byroja për zhvillim rajonal, me dy projekte shumë të rëndësishme për komunën tonë. Njëri projekt, projektimi i urës në lumin Vardar dhe projekti tjetër me një rrugicë në fshatin Batincë që duheshte të bëhet, mirëpo nuk u pranua.
Duke hedhur poshtë si të pabaza akuzat e Abazit, kanë reaguar nga koalicioni VLEN. Nga ku e akuzojnë Abazin për mungesë vizioni, përgjegjësie dhe rezultate konkrete gjatë muajve të parë të mandatit. Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë të gjitha projektet që promovohen në komunë nga Abazi, janë financuar nga Qeveria VLEN përmes kredisë hungareze, ndërsa hedhin poshtë akuzat e Abazit për diskriminim politik dhe mungesë mbështetjeje institucionale.
Nga VLEN rikujtojnë se që nga marrja e mandatit, Komuna e Studeniçanit ka pasur mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe është vizituar nga përfaqësues të lartë qeveritarë, përfshirë zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri dhe ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha.
Përpjekjet e z. Abazi për të krijuar alibi politike përmes akuzave për diskriminim nga Byroja për zhvillim rajonal janë të pabaza dhe të qëllimshme. Retorika se për të përfituar projekte duhen lidhje politike apo familjare është një pranim i dështimit dhe mentalitetit të vjetër që qytetarët tashmë e kanë refuzuar. Realiteti është ndryshe se pikërisht nga kjo byro edhe komuna të udhëhequra nga BDI, si Likova, Çashka dhe Pllasnica, kanë përfituar mbështetje të njëjtë. VLEN nuk do të lejojë që paaftësia lokale të maskohet me propagandë politike. I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës së Studeniçanit të marrë përgjegjësi për dështimet e tij dhe të ndalë manipulimin e opinionit publik.
Mbështetje nga kjo thirrje e Byrosë për Zhvillim Rajonal kanë marrë, Komuna e Tetovës, Çairit dhe komuna tjera. Komuna e Çairit njoftoi dje se nga kjo thirrje janë ndarë afërsisht 1 milion denarë për vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë.