Аliu: Sallat e rinovuara operative paraqesin një hap të rëndësishëm përpara në avancimin e infrastrukturës shëndetësore në SPQ “8 Shtatori”
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, vizituan sot Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, me rastin e përfundimit të punimeve ndërtimore për rinovimin e shtatë sallave operative me një sipërfaqe totale prej 2 mijë metrash katrorë. Sallat operative janë të dedikuara për fusha të ndryshme, si: kirurgjia abdominale, urologjia, ORL-ja dhe kirurgjia oftalmologjike.
“Sot po flasim për një projekt që paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës shëndetësore dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për trajtim dhe kujdes mjekësor në këtë institucion. Me realizimin e rikonstruksionit dhe adaptimit të bllokut operativ, njësisë së kujdesit intensiv, pjesës administrative, repartit të patologjisë, laboratorit klinik dhe konstruksionit të kulmit, është krijuar një hapësirë shëndetësore tërësisht e re, funksionale dhe teknikisht e harmonizuar, në përputhje me standardet më moderne mjekësore dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky projekt nuk paraqet vetëm një rikonstruksion ndërtimor. Ai është investim në sigurinë e pacientëve, në kushte më të mira pune për personelin mjekësor dhe në stabilitetin afatgjatë dhe efikasitetin e sistemit shëndetësor”, theksoi ministri Aliu.
Ai theksoi se veçanërisht e rëndësishme është zbatimi i standardeve më të larta inxhinierike, teknike dhe të sigurisë, me sisteme moderne elektrike dhe mekanike, sistem të avancuar BMS për menaxhim të centralizuar, zgjidhje të reja klimatizimi dhe energjetike, si dhe pajisje të gjeneratës më të fundit. Njëkohësisht, me rikonstruksionin e kulmit dhe integrimin e paneleve fotovoltaike kontribuohet ndjeshëm në qëndrueshmërinë energjetike dhe menaxhimin racional të resurseve.