Një kapitull i ri në rivalitetin sportiv mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos është shfaqur falë një ylli të Premierligës.
Futbollisti i Fulhamit, Alex Iwobi, e njeh talentin e jashtëzakonshëm që posedojnë këta dy ikona të futbollit modern, por njëri prej tyre ka një vend të veçantë në zemrën e tij, dhe ai e ka quajtur “lojtari më i mirë në botë”.
Për më shumë se dy dekada, debati për të përcaktuar më të madhin e të gjitha kohërave (GOAT) ka vënë përballë dy emra: Cristianon dhe Lionelin, të cilët së bashku kanë fituar gjithsej 13 Topa të Artë dhe kanë lënë një trashëgimi të pashlyeshme.
Prandaj, kur Iwobi u pyet se cilin nga dy yjet do të zgjidhte, ish-lojtari i Arsenalit nuk hezitoi të zgjedhë argjentinasin.
“Unë gjithmonë them Messi. Ishte ndryshe sepse kur luajta kundër Ronaldos, aura ishte e pabesueshme, por kur luajta kundër tij në ‘Camp Nou’ dhe aty ishin ai, Neymar, Luis Suárez, Andrés Iniesta, Xavi, Dani Alves, Víctor Valdés – kishte emra dhe vetëm emra,” tha ai në podcastin “Beast Mode On” (përmes “GOAL”).
Më pas, Iwobi kujtoi atë humbje të vështirë të Arsenalit ndaj Barcelonës në mars të vitit 2016, në ndeshjen e kthimit të 1/8-ës së finales së Ligës së Kampionëve, dhe ndau një detaj interesant për përshtypjen e tij të parë për Leon.
“Ky ishte starti im i parë në Champions dhe po dilja në fushë, dhe gjithçka që dëgjoja ishte ‘Messi, Messi’. O burrë, ka edhe superyje të tjerë! Shikoj majtas, të gjithë janë të vegjël nga shtati. Neymar është goxha i vogël. Messi është edhe më i vogël… shumë i vogël, shumë, shumë i vogël. Mendova, ‘Jo, s’ka mundësi’, në mendjen time, nuk ka mundësi që ky njeri të ketë kaq shumë prezencë si lojtar,” zbuloi ai.
Ndërkohë, ai krahasoi edhe përvojën e tij përballë portugezit dhe theksoi dallimin mes tij dhe Messit.
“Sigurisht, kur luajta kundër Ronaldos, ishte një fazë tjetër e karrierës së tij. Ai është thjesht efikas – jepi topin dhe do të shënojë. Ndërsa kur luaja kundër Messit, çdo herë që kishte topin, ishte sikur kishte një rreze rreth tij ku askush nuk mund të hynte dhe ta ndalte”, tha ai.
Ndërkohë, të dy – argjentinasi dhe portugezi – vazhdojnë të ndërtojnë trashëgiminë e tyre.
Ndërsa Leo shkëlqen tek Inter Miami në moshën 38-vjeçare dhe është kampion në fuqi i MLS Cup, ylli portugez vazhdon të shënojë gola për Al-Nassrin pavarësisht se ka mbushur 41 vjeç këtë vit.
Për më tepër, të dy pritet të marrin pjesë në Botërorin 2026, ku Messi do të mbrojë titullin e fituar në vitin 2022, ndërsa CR7 do të synojë të sjellë trofeun në shtëpi për herë të parë në histori.