Gjon Shkambi është tërhequr në momentet e fundit nga kërkesa e tij për ndryshim të masës së sigurisë.
Këtë të martë në orën 11:30 ishte parashikuar që në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, të zhvillohej seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese por ajo nuk u mbajt sepse i pandehuri u tërhoq.
Më herët, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve hetimore për një periudhë tre mujore, me qëllim verifikimin e disa akteve të ekspertimit telefonik, të cilat i janë përcjellë SPAK.
Gjon Shkambi është xhaxhai i Elvis Shkambit, autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025, një ngjarje e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë.
Në atë atentat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurti, palë kundërshtare në procesin gjyqësor për një konflikt pronësie.
Shkambi ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij, i cili qëlloi në tetor të vitit 2025 gjyqtarin brenda sallës së gjyqit menjëherë pasi ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së familjes Shkambi për një pronë të përfituar si ish-pronar në vitet ’90.
Konflikti për këtë pronë ka përfshirë 31 familje dhe zgjat për më shumë se tre dekada në gjykata.