Shkruan: TetovaSot
Kumtesa e fundit e VLEN-it kundër protestave dhe kërkesave të studentëve shqiptarë po rikthejnë një logjikë që shqiptarët e kanë parë edhe më herët në histori. Ajo që sot po ndodh në diskursin politik të VLEN-it i ngjan shumë qëndrimeve që kishte dikur Lidhja Komuniste e Jugosllavisë ndaj protestave studentore të viteve 1981 dhe 1989 në Kosovë.
Në atë kohë, Lidhja Komuniste ishte e lidhur me pushtetin dhe jo me popullin. Përfaqësues shqiptarë të asaj strukture si Ali Shukria, Sejdo Bajramoviqi, Rrahman Morina, Sinan Hasani dhe të tjerë u rreshtuan në anën e pushtetit të Beogradit dhe në anën e politikave të Sllobodan Millosheviqit, kundër studentëve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta, barazi dhe republikë. Studentët u shpallën armiq, u akuzuan se po destabilizonin shtetin, se po instrumentalizoheshin politikisht, se po manipuloheshin. Historia sot po përsëritet në një formë tjetër.
Edhe sot, në vend që të dëgjohen kërkesat legjitime të studentëve dhe të rinjve shqiptarë, ata akuzohen se po instrumentalizohen, se dikush po i përdor, se dikush po bën politikë me ta. Kjo është e njëjta logjikë e vjetër: kur nuk ke argument për problemin, sulmon protestën dhe protestuesin. Por historia ka treguar se studentët shpesh kanë qenë pararendës të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike.
Protestat e vitit 1981 dhe rezistenca e viteve që pasuan nuk u ndalën pavarësisht propagandës dhe presionit. Studentët dhe populli e bënë ndryshimin. Sot Kosova është republikë. Sot Kosova është shtet. Dhe historia na mëson se ndryshimet e mëdha nuk vijnë nga pushteti që i frikësohet zërit të studentëve, por nga shoqëria që kërkon të drejtat e veta.
Prandaj, në vend që të sulmohen studentët dhe të relativizohen kërkesat e tyre, më e drejtë do të ishte të dëgjohen, të respektohen dhe të zgjidhen problemet e tyre. Sepse çdo pushtet që vendoset kundër studentëve dhe kundër të rinjve, zakonisht përfundon në anën e gabuar të historisë.