U16 e Shkëndijës barazon në derbin e çmendur ndaj Vardarit, Ismaili: Kjo gjeneratë është e jashtëzakonshme
Një ndeshje spektakolare dhe plot emocione ka zhvilluar gjenerata U16 e Shkëndijës në Shkup përballë Vardarit, në një duel që dhuroi gjashtë gola dhe shumë dramë deri në sekondat e fundit informon Tetovasot. Skuadra tetovare e drejtuar nga trajneri Ismail Ismaili ishte shumë pranë fitores, por në fund ndeshja u mbyll me barazim 3:3.
Kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit dhe duke pasur epërsinë në dorë. Shkëndija krijoi raste të shumta dhe arriti të shënojë tre herë, duke u dukur se tre pikët ishin të sigurta. Megjithatë, në minutat e fundit, Vardari arriti të barazojë, duke bërë që ndeshja të përfundojë me rezultatin 3:3.
Pavarësisht se fitorja ishte shumë pranë, ky barazim është i vlefshëm për skuadrën tetovare, e cila vazhdon të mbajë vendin e parë në tabelë dhe të forcojë pozitën drejt titullit kampion. Gjenerata U16 e Shkëndijës po dëshmon vazhdimisht se është një ndër grupmoshat më cilësore që ka pasur klubi ndër vite.
Pas ndeshjes, trajneri Ismail Ismaili u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke vlerësuar karakterin dhe cilësinë e futbollistëve të rinj.
Deklarata e trajnerit Ismail Ismaili:
“Ka qenë një ndeshje shumë e fortë dhe cilësore nga të dyja skuadrat. Jam krenar me djemtë për mënyrën se si luajtën dhe për karakterin që treguan në fushë. Kishim ndeshjen në kontroll dhe shumë pranë fitores, por futbolli ndonjëherë të ndëshkon në momentet e fundit. Megjithatë, ky barazim është i rëndësishëm për ne, sepse vazhdojmë të mbajmë vendin e parë dhe të jemi më afër titullit.
Besoj shumë në këtë gjeneratë. Këta djem kanë cilësi të mëdha dhe mentalitet fitues.”.TS