Përmes kësaj nisme do t’u ofrohet qytetarëve dhe vizitorëve qasje falas në Wi-Fi në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe institucione kulturore në të gjithë Maqedoninë e Veriut
Urim HASIPI
Tetovë, 29 prill – Në tri komuna të Pollogut, tashmë po realizohet projekti për Wi-Fi falas për qytetarët. Së fundmi, Wi-Fi falas është instaluar në territorin e Komunës së Gostivarit. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
“Ka filluar WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), një iniciativë që sjell internet falas dhe me shpejtësi të lartë. Qytetarët lidhen më lehtë, më shpejt dhe pa kosto, duke përfituar nga kjo risi që forcon lidhjen me botën digjitale. Kjo iniciativë zbatohet përmes programit EU4Digital Action, me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe implementohet nga GIZ”, njoftoi në rrjetet sociale kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Ditë më parë, ky projekti filloi të zbatohet edhe në Tetovës. Nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se qytetarët dhe vizitorët tani mund të lidhen me Wi-Fi publik falas në Tregun e Gjelbër. “Qëllimi i iniciativës është të ofrojë internet publik falas në të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor. Komuna e Tetovës do të jetë një nga 500 në rajon që do të marrë një rrjet WiFi4WB, duke ndjekur shembullin e programit WiFi4EU të BE-së, i cili ka ofruar internet publik falas në 7.000 lokacione në të gjithë Bashkimin Evropian. Të gjithë qytetarët dhe vizitorët mund të lidhen falas dhe të përdorin një lidhje të sigurt interneti. Me këtë mbështetje, Komuna e Tetovës vazhdon të përmirësojë shërbimet publike dhe të forcojë lidhjen dixhitale të komunitetit lokal”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Krahas këtyre dy komunave të mëdha, kohë më parë rrjet falas është lëshuar në disa qendra të vendbanimeve të Komunës së Bogovinës. “Projekti është pjesë e iniciativës EU4Digital, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë, dhe mbulon instalimin, pajisjet dhe mirëmbajtjen e rrjetit Wi-Fi. Në fazën e parë, qytetarët e vendbanimeve Bogovinë, Kamjan dhe Pirok së shpejti do të kenë mundësi të kyçen në qendrat e fshatrave të tyre”, informoi kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi.
Ky projekt përfshinë 64 komuna në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Përmes kësaj nisme do t’u ofrohet qytetarëve dhe vizitorëve qasje falas në Wi-Fi në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe institucione kulturore në të gjithë Maqedoninë e Veriut. Si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, nisma kontribuon në promovimin e lidhjes dixhitale dhe integrimit rajonal, me mbështetjen e BE-së dhe Republikës Federale të Gjermanisë që u ofron komunave pjesëmarrëse një paketë gjithëpërfshirëse që mbulon pajisjet, instalimin, lidhjen dhe mirëmbajtjen e rrjeteve Wi-Fi për një periudhë të caktuar, duke siguruar si ndikim të menjëhershëm ashtu edhe qëndrueshmëri afatgjatë. (koha.mk)