Respektim të plotë të kornizës ligjore në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare. Kjo është përgjigja e zyrës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mikalis Rokas, në pyetjen e gazetës KOHA se si e komenton protestën e së hënës të studentëve shqiptarë për mungesën e gjuh2ës shqipe në provimin e Jurisprudencës.
“Sa i përket çështjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, është e rëndësishme që kjo të diskutohet përmes një dialogu gjithëpërfshirës me ekspertë dhe praktikantë, për të arritur një konsensus të gjerë që siguron respektimin e plotë të kornizës ligjore në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Shkup, ndërsa shtojnë se protestat paqësore janë një mjet legjitim për shprehjen e qëndrimeve dhe angazhimin qytetar në shoqëri.
“Bashkimi Evropian është i themeluar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe është i përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave themelore për lirinë e shprehjes dhe tubimit. Protestat paqësore janë një mjet legjitim për shprehjen e qëndrimeve dhe angazhimin qytetar në shoqëri. Këto të drejta janë gjithashtu të garantuara në legjislacionin kombëtar të Maqedonisë së Veriut”. (koha.mk)