Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me strategjinë e re për zhvillimin e kulturës për periudhën 2026–2030, duke paralajmëruar për një tendencë për mbylljen ose fuzionimin e ansamblit muzikor në Tetovë me një institucion tjetër.
Sipas tij, një veprim i tillë do të dëmtonte rëndë jetën kulturore jo vetëm në Tetovë dhe rajonin e Pollogut, por edhe në nivel shtetëror. Snopçe hodhi poshtë pretendimet e përfshira në strategji, sipas të cilave ansambli nuk ka staf të mjaftueshëm, kushte të përshtatshme apo mbështetje reale.
Ai theksoi se ekzistojnë pëlqime për punësime dhe një plan i qartë sistematizimi, por sipas tij, pengesat kanë ardhur nga vetë Ministria e Kulturës dhe qeveria, të cilat kanë vonuar dhe bllokuar proceset. Lidhur me hapësirat, deputeti deklaroi se ato janë të mjaftueshme për funksionimin e ansamblit me deri në 30 të punësuar.
Snopçe gjithashtu rikujtoi se problemi i mungesës së një godine adekuate për teatrin në Tetovë vazhdon prej më shumë se 20 vitesh, duke shtuar se ndërtimi i tij do të zgjidhte edhe çështjen e hapësirave për ansamblin.
Ai vlerësoi performancën e ansamblit, duke theksuar se edhe me staf të kufizuar ka arritur rezultate konkrete, si organizimi i pesë koncerteve në vitin e parë dhe dyfishimi i tyre në vitin e dytë, përfshirë edhe një koncert simfonik.
Në reagimin e tij, deputeti ngriti edhe çështjen e trajtimit të pabarabartë, duke krahasuar situatën me orkestrën kamertale në Manastir, e cila sipas tij funksionon normalisht dhe vazhdon të marrë mbështetje institucionale.
“Si është e mundur që për Manastirin ka mbështetje të vazhdueshme, ndërsa për Tetovën vazhdojnë bllokadat?”, pyeti Snopçe.
Ai shtoi se përgjigjja e ministrit ishte e pamjaftueshme dhe tregoi mungesë informacioni për përmbajtjen e strategjisë që ishte në diskutim.