Shkëndija U15 e drejtuar nga trajneri Ibrahim Luma zhvilloi një ndeshje të madhe dhe tepër të luftuar ndaj një kundërshtari të fortë si Arsimi U15 si mysafir, por në fund nuk arriti ta ruajë epërsinë prej 1:3, për shkak të një referimi skandaloz që ndikoi drejtpërdrejt në rezultat informon Tetovasot.
Kuqezinjtë e rinj treguan karakter, disiplinë dhe cilësi gjatë gjithë takimit, duke dominuar pjesën më të madhe të ndeshjes dhe duke krijuar avantazh të merituar. Dy gola për Shkëndijën i realizoi sulmuesi i talentuar Leard Salihi, ndërsa një tjetër shtoi Argjend Muharremi, duke çuar rezultatin në 1:3 dhe duke i dhënë skuadrës së Lumës një epërsi komode.
Megjithatë, në vazhdim të takimit, gjyqtari mori disa vendime të diskutueshme dhe tepër të kontestuara, duke ndëshkuar pothuajse çdo lojtar të Shkëndijës me karton të verdhë. Kulmi i referimit skandaloz erdhi me kartonin e kuq për sulmuesin Dior Alili, vendim që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe i dha mundësi kundërshtarit të rikthehej në lojë.
Vendimet e gjyqtarit prishën një ndeshje shumë të bukur dhe të luftuar sportivisht, ndërsa Shkëndija U15, pavarësisht rezultatit përfundimtar, tregoi cilësi dhe potencial të madh për të ardhmen.
Skuadra e drejtuar nga Ibrahim Luma meriton duartrokitje për paraqitjen e madhe, ndërsa kjo gjeneratë e Shkëndijës dëshmoi edhe një herë se ka talent dhe karakter për suksese të mëdha në të ardhmen. TS