Sërish mbyllet ngushtica e Hormuzit, shkelet armëpushimi, sulme në të gjitha anët?

Vetëm pak orë pas shpalljes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Pakistani, Lindja e Mesme është përfshirë nga një valë e re dhune. Kjo ka çuar në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, që ishte një nga kushtet e marrëveshjes.

Derisa Izraeli ka sulmuar Libanin dhe nuk ka ndalur operacionet atje, Irani ka ndërmarrë një sulm masiv me raketa dhe dronë kundër naftësjellësit kryesor “Lindje-Perëndim” në Arabinë Saudite, duke bllokuar rrugën e vetme të mbetur për eksportin e naftës bruto, njoftuan burime nga industria dhe agjencitë zyrtare.

Naftësjellësi saudit, i cili transportonte rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë drejt portit Yanbu në Detin e Kuq, është goditur rëndë. Ky tubacion shërbente si alternativa e vetme pas mbylljes fillestare të Ngushticës së Hormuzit. Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) konfirmuan sulmet, duke deklaruar se kanë shënjestruar edhe objekte të kompanive amerikane.

Irani ka bllokuar sërish kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Sipas mediave iraniane (Fars dhe Tasnim), ky vendim erdhi si përgjigje ndaj sulmeve të fundit izraelite në Bejrut, ku mbetën të vrarë të paktën 89 persona.

Teherani zyrtar ka paralajmëruar se do të tërhiqet plotësisht nga marrëveshja e armëpushimit nëse Izraeli nuk ndalon operacionet në Liban. Irani pretendon se marrëveshja me SHBA-në përfshinte “ndalimin e luftës në të gjitha frontet”, ndërsa Izraeli këmbëngul se armëpushimi nuk vlen për luftën e tyre kundër Hezbollahut.

Kaos në Gjirin Persik

Situata mbetet kritike edhe në vendet fqinje:

Kuvajti: Ushtria raportoi sulme të rënda iraniane që shkaktuan dëme të mëdha në termocentrale dhe impiante të ujit.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini: Kanë njoftuar gjithashtu se janë shënjestruar nga raketat dhe dronët iranianë, duke goditur zona të banuara dhe infrastrukturore.

Tregjet në panik

Ky përshkallëzim i papritur ka rikthyer pasigurinë totale në tregjet e energjisë. Ekspertët paralajmërojnë se nëse naftësjellësi saudit mbetet jashtë funksionit dhe Hormuzi mbetet i mbyllur, bota do të hyjë në “krizën më të rëndë energjetike të historisë moderne”.

Izraeli, nga ana tjetër, ka intensifikuar goditjet në Liban, duke i cilësuar ato si më të rëndat që nga fillimi i operacionit tokësor, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për paqe.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo