Bajram Rexhepi nga Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e partisë lidhur me qëndrimet e Bilall Kasami të dhëna në një intervistë në një televizion nacional.
Sipas Rexhepit, deklaratat e Kasamit për çështjet kyçe të shtetit dëshmojnë një qasje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, si dhe një nënshtrim ndaj partnerëve të tij në qeveri. Ai e cilësoi si “skandaloze dhe të turpshme” fajësimin e Bashkimi Evropian për bllokimin e procesit eurointegrues të vendit, duke e akuzuar Kasamin për mungesë njohurish bazë mbi këtë proces dhe për mashtrim të qytetarëve lidhur me kushtëzimin e pjesëmarrjes në qeveri me ndryshimet kushtetuese.
Në deklaratën e tij, Rexhepi ngriti edhe shqetësimin për ndikimin e Federat;s Ruse në rajon, duke pyetur nëse qëndrimet e Kasamit janë në përputhje me interesat ruse në Ballkan dhe nëse ato janë të vetëdijshme apo jo.
BDI gjithashtu akuzoi për dështime në disa projekte infrastrukturore dhe politike, duke përmendur sabotimin e Korridorit 8, lidhjeve rrugore me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe përkeqësimin e balancave etnike dhe përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Sipas tyre, është dëmtuar edhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe janë cenuar parimet e Marrëveshja e Ohrit.
Në fund, Rexhepi theksoi se qytetarët shqiptarë aktualisht përfaqësohen nga një klasë politike që, sipas tij, është e zhytur në korrupsion dhe keqpërdorim të pronës publike, duke paralajmëruar se “koha për përgjegjësi do të vijë shumë shpejt”.