Rama: Shqipëria në BE brenda vitit 2030, kemi kalendar me KE për mbylljen e negociatave në 2027

Kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen e tij të plotë se Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste në qytetin e Lezhës, kreu i qeverisë zbuloi ekzistencën e një “kalendari pune” të rënë dakord me Komisionin Europian, i cili synon përfundimin e detyrave teknike dhe mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.

Sipas Ramës, ky plan ambicioz është i llogaritur me saktësi, duke lënë një hapësirë prej rreth dy vitesh pas 2027-ës për proceset e ratifikimit në parlamentet e 27 vendeve anëtare.

“Kur unë thoja që do integrohemi në BE brenda vitit 2030, të gjithë thoshin ‘është gënjeshtër’. Në fakt, kemi një marrëveshje për të ekzekutuar një kalendar pune që përfundon në vitin 2027. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda,” — deklaroi Rama para socialistëve të Lezhës.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka hapur kapitujt në kohë rekord, por pranoi se sfida mbetet te “kati i dytë”, duke iu referuar Këshillit të BE-së ku kërkohet unanimitet.

“Nëse vetëm një vend thotë ‘jo’, atëherë integrimi është i pamundur. Por tani janë bashkuar edhe yjet e fatit tonë,” — shtoi ai, duke lënë të kuptohet një klimë më favorizuese gjeopolitike.

Rama nuk i kursye as “thumbat” ndaj opozitës, duke i cilësuar akuzat për korrupsion si një zhurmë për të baltosur punën e ekzekutivit.

Ai pranoi se korrupsioni nuk është shfarosur plotësisht, por pretendoi se kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar këtë fenomen me forcën e tanishme.

“Të gjithë ata që na gjëmojnë nga mbrapa me zhurmën ‘korrupsioni, korrupsioni’… Shqipëria kurrë nuk e ka luftuar si tani dhe korrupsioni është më i ulët se kurrë më parë. Kur ata ishin në pushtet, mbaje radhë për të paguar dritat,” — ironizoi kryeministri.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama e cilësoi anëtarësimin në BE si një “mundësi të artë” që Partisë Socialiste i është dhënë në dorë, duke paralajmëruar se dështimi në këtë mision do të ishte një mëkat që “historia s’ka për t’ja falur” kësaj force politike.

Sipas tij, Shqipëria po pret tashmë dritën jeshile për mbylljen e kapitujve të parë, ndërsa Brukseli ka nisur takimet intensive për të siguruar konsensusin e nevojshëm mes vendeve anëtare.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo