Qeveria shqiptare ul akcizën për naftën dhe benzinën me 20 %





Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një masë të re fiskale për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Përmes një akti normativ të miratuar së fundmi, është vendosur ulja me 20% e akcizës për naftën dhe benzinën, në raste të caktuara kur çmimet kapërcejnë nivele të përcaktuara.

Sipas këtij vendimi, reduktimi i akcizës do të aplikohet nëse çmimi me pakicë i karburanteve, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, tejkalon 220 lekë për litër për naftën dhe 200 lekë për litër për benzinën. Masa synon të lehtësojë barrën financiare për qytetarët dhe bizneset, në një kohë kur tregjet globale po përjetojnë luhatje të forta.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se kjo ndërhyrje vjen në vijim të angazhimit të qeverisë për të reaguar ndaj situatave të jashtëzakonshme, duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit ndërkombëtare që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës.

Autoritetet theksojnë se akti normativ do të mbetet në fuqi deri në momentin kur situata në tregjet ndërkombëtare të stabilizohet. Qeveria deklaron se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur ekonominë dhe qytetarët nga pasojat e krizave të jashtme, ndërsa synon njëkohësisht të ruajë balancat buxhetore në këtë periudhë sfiduese.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo