Osmani përfundon mandatin, Haxhiu ushtruese detyre e presidentes

Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes. Në një ceremoni zyrtare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke theksuar se e kupton përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që ka marrë.

Haxhiu falënderoi presidenten e deritashme Vjosa Osmani për angazhimin në shërbim të Kosovës dhe u shpreh se është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz me integritet të lartë dhe moral profesional, të cilët në çdo vendim e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët.

“Faleminderit për angazhimin në shërbim të Kosovës. Për Kosovën është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz me integritet të lartë, moral profesional dhe në secilin vendimin që e marrin e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu teksa pranoi detyrën nga Osmani të shtunën në Presidencë.

Haxhiu theksoi se Kushtetuta nuk i lejon të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj në detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe shprehu shpresën që Kuvendi ta zgjedhë sa më shpejt presidentin e ri, duke theksuar se zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët dhe as për shtetin.

Haxhiu u bëri thirrje deputetëve që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për çështjen e presidentit, duke lënë anash dallimet dhe inatet politike.

“Zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët, as për shtetin. I bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash dallimet politike, inatet politike, t’i vazhdojnë pasi ta zgjedhin presidentin”, shtoi Haxhiu.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo